Detajet/ SCAN zbardh studimin për depozitën më të madhe të hidrogjenit – Ekipi drejtohej nga 8 profesorë, mes tyre dhe 3 shqiptarë.
Revista e njohur “New Scientist” ka publikuar një artikull për një zbulim të jashtëzakonshëm në Bulqizë, të një depozitë hidrogjeni që mendohet që të jetë më e madhja në botë. Një zbulim i tillë, konsiderohet tej mase i rëndësishëm, jo vtëm për vendin tonë por edhe për Europën, që ka vendosur objektiva për energjinë e pastër.
Pas këtij lajmi, SCAN TV ka kontaktuar profesorin francez Laurent Trouche nga Universiteti i Grenoble në Francë, i cili ka vënë në dispozicion studimin e plotë të realizuar në Shqipëri, ku rezultatet janë premtuese.
Studimi është kryer nga 8 profesorë, 3 prej të cilëve janë shqiptarë nga Fakulteti i Gjeologji Minierave dhe nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore. “Nga matjet e drejtëpërdrejta që kemi kryer, rezulton se ka një shkallë të lartë shkarkimi në 84 % në vëllim të Hidrogjenit nga kromi i thellë nëntokësor në Bulqizë.
Një minimum prej 200 ton Hidrogjen (H2) nxirret çdo vit nga galeritë e minierës, duke bërë që të jetë një nga normat më të mëdha të fluksit të H2 të regjistruara deri më sot” shkruhet në studim.
Profesorët kanë arritur në konkluzionin se ekziston një rezervuar masiv ku është akumuluar gazi. Për herë të parë, prezenca e gazit në minierat e kromit në Bulqizë është raportuar në vitin 1992, në thellësinë 620 metra. Pas zbulimit të gazit, shkarkime masive gazi kanë ndodhur në vitet 2011, 2017 dhe 2023.
Që nga viti 2017, në këtë minierë janë instaluar sensorë të hidrogjenit që kanë mundësuar matje të sakta të shkallës së daljes së hidrogjenit. Në fund të studimit, profesorët kanë dalë në konkluzionin se nxjerrja e gazit mund të zgjasë nga 25 deri në 238 vite, çka mund të thotë se sasia totale e hidrogjenit në bazë mund të jetë 5000 deri në 50 mijë ton.
Hidrogjeni konsiderohet si karburanti i së ardhmes, kjo edhe si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike që kanë sjellë si kusht që sektori energjetik të orientohet drejt burimeve të rinovueshme. Strategjia e Bashkimit Europian për Hidrogjenin, po e bën atë një prej shtyllave kryesore të luftës kundër ndryshimeve klimatike.
Ndonëse nuk është ende vend i Bashkimit Europian, Shqipëria konsiderohet si një ndër vendet europiane që ka avancuar më shumë në objektivat e energjisë së rinovueshme që Brukseli ka vendosur për vitin 2030.
Nëse rezultatet konkretizohen dhe Shqipëria shfrytëzon këtë rezervë ka disa përfitime. Përfitimi i parë është patjetër ekonomik pasi çmimi i hidrogjenit varion nga vendi në vend nga 1,5 deri në 5 dollarë për kilogram.
Por mbi të gjitha, një rezervë e tillë bën që Shqipëria të krijojë një burim tjetër energjie të rinovueshme, veç prodhimit të energjisë nga uji, era dhe dielli; duke e renditur vendin tonë në krye të vendeve që prodhojnë energji të pastër.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.