Diaspora mbështet sistemin e ri të Arbitrazhit – Katiaj: Ështe më rëndësi për të zgjidhur mosmarrëveshjet shpejt dhe pa shumë kosto
Për Dhomën e Biznesit të Diasporës, ligji i ri i Arbitrazhit është mënyra më e mirë për të zgjidhur mosmarrëveshjet shpejt dhe pa shumë kosto. Nga studio e emisionit “Box to Box” Elisabeta Katiaj shprehu bindjen se nisma do të gjejë mbështetje, por për të arritur deri këtu, duhet një bashkëpunim me të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces.
Janë qinda milionë euro detyrime për shtetin shqiptarë që vijnë si pasojë e vendimeve të dhëna nga Gjykatat Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Nisma e Qeverisë synon që përmes komisioneve të veçanta, që do të krijohen do të bëhet e mundur që palët (që mund të jenë investitorë të huaj apo shqiptarë, por edhe institucione publike) të cilat kanë mosmarrëveshje, të arrijnë që t’i zgjidhin ato në vendin tonë brenda një kohe të shkurtër dhe pa shumë kosto. Por kjo duhet thënë nuk i privon ato nga e drejta për t’u drejtuar gjykatave.
Pra nëse nuk arrijnë që të dakordësohen atëherë ato mund t’i drejtohen Gjykatës së Apelit, e cila brenda 30 ditëve ka detyrimin për të dalë me një vendim. Nga ana tjetër, është e rëndësishme të theksohet se ligji nuk ka fuqi prapavepruese. Ç’ka do të thotë se strukturat e reja nuk kanë kompetecë për të marrë në rishqyrtim çështje për të cilat janë shprehur apo kanë marrë vendim Gjykatat Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Në këto raste, detyrimi i palës shqiptare është që të bëjë ekzekutimin e tyre.
Ada Hazizolli/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.