Tregu i brendshëm monetar vijon stabilitetin – BQE e mban të pandryshuar normën bazë të interesit në 4%
Euro po këmbehet e qëndrueshme edhe në sesionin e sotëm, në raport me leku, ndërsa vihet re një forcim i lehtë i dollarit amerikan. Sipas agjencisë së këmbimit valutor, Iliria 98, dollari blihet me 95 dhe shitet me 95.8 lekë, euro blihet me 103.5 dhe shitet me 104.1 lekë, franga zvicerane blihet me 109.4 dhe shitet me 110.4 lekë, ndërsa paundi britanik blihet me 120.5 dhe shitet me 121.5 lekë.
Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare, dollari po qëndron edhe sot pranë nivelit më të lartë në 6 javët e fundit, përballë monedhave kryesore ndërkombëtare, ndërsa investitorët po presin të dhënat mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto në SHBA.
Më herët gjatë ditës, Banka Qendrore Europiane, sikurse pritej gjerësisht nga investitorët, e mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit për të tretin takim me radhë, në nivelin e 4%. Banka qendrore po përballet me një ngadalësim të ekonomisë së eurozonës dhe një stabilitet të brishtë të sistemit financiar, por pavarësisht kësaj është e vendosur ta ulë inflacionin në 2%, nga 2.9% që është aktualisht.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, po qëndron në rreth 103.4, pranë nivelit më të lartë në 6 javët e fundit. Analistët parashikojnë se ekonomia amerikane do të jetë rritur me 2% me bazë vjetore, gjatë tremujorit të fundit të vitit 2023, sipas një sondazhi të Reuters.
Raporti pritet të tregojë se SHBA e shmangu recesionin në vitin 2023, ndërsa inflacioni parashikohet të jetë i moderuar në tremujorin e fundit, duke nxitur pritjet për ulje të normave të interesit rreth gjysmës së parë të këtij viti. Indeksi i dollarit amerikan ka fituar rreth 2% të vlerës gjatë janarit, pasi tregtarët zvogëluan në mënyrë drastike bastet për uljen e interesave në muajin mars, nga Rezerva Federale. Tregjet vlerësojnë tashmë rreth 43% shanse për uljen e normës së interesit në mars, nga rreth 88% një muaj më parë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.