Dollari bie lehtë në raport me lekun – Rritet paundi britanik dhe franga zvicerane, euro e qëndrueshme
Tregu i brendshëm valutor po shfaqet i qëndrueshëm edhe në sesionin e sotëm, ndërsa vihet re një dobësimi i lehtë i dollarit amerikan dhe një forcimi i paundit dhe frangës. Dobësimi i dollarit vjen për shkak të rënies në tregjet ndërkombëtare, përballë monedhave kryesore.
Dollari amerikan është kthyer në rënie të lehtë në orët e pasdites në raport me lekun, për shkak të dobësimit në tregjet ndërkombëtare, ndërsa franga dhe paundi janë rritur lehtë. Në anën tjetër, euro vijon qëndrueshmërinë e ditëve të fundit. Sipas agjencisë së këmbimit valutor, Iliria 98, dollari amerikan blihet me 94.9 dhe shitet me 95.8 lekë, euro blihet me 103.5 dhe shitet me 104.2 lekë, franga zvicerane blihet me 109.3 dhe shitet me 110.3 lekë, ndërsa paundi britanik blihet me 120.5 dhe shitet me 121.5 lekë.
Ndërkohë, pas një starti në territor pozitiv, dollari amerikan po qëndron në rënie në orët e pasdites, përballë monedhave kryesore ndërkombëtare, por po tregtohet pranë nivelit më të lartë në 6 javët e fundit.
Indeksi i dollarit amerikan po qëndron në rreth 103.3, pranë nivelit më të lartë që nga 13 dhjetori i vitit të kaluar. Tashmë, investitorët po vlerësojnë 47% mundësi që banka qendrore amerikane të ulë normën bazë të interesit në takimin e marsit, nga rreth 80% dy javë më parë.
Ndërsa për të gjithë vitin 2024, analistët vlerësojnë pesë ulje të interesave me 25 pikë bazë secila. Investitorët po presin edhe takimin e bankës qendrore europiane të enjten, ndërsa nuk parashikohet ndryshim i politikës monetare. Tregjet janë të interesuara të mësojnë ndonjë detaj se kur mund të vijë ulja e parë e interesave.
Euro po këmbehet në rreth 1.09 dollarë dhe po qëndron në nivelin më të ulët që nga 13 dhjetori. Edhe Banka e Kanadasë pritet të mblidhet ditën e sotme dhe analistët parashikojnë se norma bazë e interesit do të mbahet e pandryshuar në nivelin më të lartë në 22 vitet e fundit, prej 5%.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.