Dollari e nis javën në rritje – Në dy sesionet e fundit ka rënë me 3.6%, ndikoi ngadalësimi i inflacionit
Dollari amerikan po qëndron në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, pas humbjeve të konsiderueshme javën e kaluar, si pasojë e shenjave për ngadalësimin e inflacionit në SHBA. Megjithatë, kujdesi është i lartë pasi një anëtar i Rezervës Federale deklaroi se banka qëndrore nuk do ta zbusë luftën ndaj inflacionit.
Ngadalësimi i inflacionit në 7.7%, gjatë muajit tetor në SHBA, bëri që indeksi i dollarit amerikan të humbë rreth 3.6% të vlerës vetëm në dy sesionet e fundit të javës së kaluar, humbjet më të mëdha që nga marsi i vitit 2009.
Referuar të dhënave të tjera, besimi i konsumatorëve në SHBA ra gjatë nëntorit, për shkak të shqetësimeve për inflacionin e lartë dhe rritjes së kostove të huamarrjes. Në këtë mënyrë, euro është ngjitur mbi 1.03 përballë dollarit amerikan, ndërsa paundi po tregtohet në mbi 1.1750 dollarë.
Ndërkohë, tregu i kriptomonedhave, vijon të gjendet nën presion, pas problemeve të shfaqura nga platforma e këmbimit, FTX. Bitcoin po tregtohet pranë 16,700 dollarëve, ndërsa ethereum po tregtohet pranë 1260 dollarëve.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.