Dollari i rikthehet humbjeve – Ngadalësohet ndjeshëm sektori i shërbimeve në SHBA
Dollari amerikan po qëndron në rënie në sesionin e sotëm, duke u tërhequr nga niveli më i lartë në 2 muaj e gjysmë, për shkak të të dhënave mbi sektorin e shërbimeve në SHBA, që treguan një rënie surprizë. Edhe paqartësitë në lidhje me vendimet që do të marrë Rezerva Federale javën e ardhshme kanë ushtruar presion mbi monedhën e gjelbër. Tregjet globale janë fokusuar tërësisht te vendimet që do të marrë Banka Qendrore Amerikane, pasi analistët janë të ndarë mbi rritjen e interesave.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 104, ndërsa në sesionin e kaluar preku nivelin më të lartë në 2 muaj e gjysmë, prej 104.7. Investitorët dhe analistët vlerësojnë se ka 77% mundësi që Rezerva Federale të mos rrisë normën bazë të interesit, nga 36% javën e kaluar.
Pas publikimit të të dhënave mbi sektorin e shërbimeve në SHBA, euro u ngjit sërish në mbi 1.07 dollarë, ndërsa paundi po këmbehet në rreth 1.24 dollarë. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin ka rënë ndjeshëm drejt 25 mijë dollarëve, pasi në sesionin e kaluar humbi mbi 5% të vlerës, humbjet më të mëdha ditore që nga 19 prilli.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.