Dollari, në nivelin më të lartë në 1 javë – Tregjet presin fjalimin e Powell dhe të dhënat mbi punësimin në SHBA
Tregu i monedhave ka ndryshuar minimalisht në sesionin e sotëm, me dollarin amerikan që po qëndron në nivelin më të lartë në 1 javë. Investitorët po presin fjalimin që do të mbajë presidenti i Rezervës Federale, Jerome Powell dhe raportin mbi punësimin për nëntorin, që do të publikohet ditën e premte. Analistët parashikojnë se ekonomia amerikane do të ketë krijuar edhe 200 mijë vende të reja pune gjatë nëntorit, në rënie të lehtë nga 261 mijë vende të reja pune që u krijuan në tetor.
Në anën tjetër, euro është gjendur nën presion pasi të dhënat mbi çmimet konsumatore në Gjermani dhe në Spanjë rezultuan më të dobëta se parashikimet, duke ulur njëkohësisht edhe mundësitë që Banka Qendrore Europiane të rrisë agresivisht normën bazë të interesit, në takimin e dhjetorit. Megjithatë, vendimtare do të jenë të dhënat mbi inflacionin për Eurozonën, që do të publikohen më vonë gjatë ditës së sotme.
Analistët parashikojnë një ngadalësim të lehtë në 10.4%, nga 10.6% që ishte inflacioni për tetorin. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 106.7, niveli më i lartë që nga 23 nëntori. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin ka prekur nivelin më të lartë në dy javët e fundit prej 17 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1270 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.