Dollari realizon humbje javore prej 0.8% – Prek nivelin më të ulët në katër muajt e fundit
Dollari po qëndron në rënie edhe në sesionin e sotëm, duke prekur sërish nivelin më të ulët në 4 muajt e fundit, ndërsa investitorët po presin të dhënat mbi inflacionin në SHBA, i cili do të japë një qartësi më të madhe mbi uljen e interesave nga Rezerva Federale, vitin e ardhshëm.
Ndërkohë, euro është ngjitur në nivelin më të lartë në 3 javët e fundit dhe po këmbehet në rreth 1.1 dollarë. Fokusi i investitorëve do të jetë te shpenzimet bazë të konsumit personal në SHBA, që publikohen të premten.
Ky indeks është një masë e preferuar nga Rezerva Federale për inflacionin bazë. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 101.7, niveli më i ulët në 4 muajt e fundit.
Ky indeks pritet të publikojë humbje javore prej 0.8%, duke thelluar humbjet prej 1.3% të javës së kaluar. Monedha e gjelbër është gjendur nën presion, pasi investitorët kanë vendosur baste se Rezerva Federale do të ulë normën bazë të interesit me 150 pikë bazë, gjatë vitit të ardhshëm, dhe ulja e parë do të vijë në muajin mars.
Ndërkohë, paundi britanik ka ndryshuar minimalisht, ndërsa më herët gjatë javës u gjend nën presion për shkak se inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar për nëntorin rezultoi shumë poshtë parashikimeve të tregjeve. Volumi i tregtimin ka qënë i ulët, për shkak se investitorët fillojnë pushimet 4-ditore të Krishtlindjes, ndërsa në bursën e Londrës tregtia ka qënë e pjesshme, ditën e sotme.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.