Dollari rimëkëmbet lehtë – Procesverbali i FED sugjeron mbylljen e ciklit shtrëngues
Dollari amerikan është rimëkëmbur lehtë nga niveli më i ulët në 2 muaj e gjysmë, pasi procesverbali i mbledhjes së fundit të Rezervës Federale la të kuptohej se normat e interesit ka të ngjarë të mbeten kufizuese edhe për pak kohë, edhe pse cikli i rritjes së interesave duket se ka përfunduar.
Zyrtarët e Fed ranë dakord se do të rrisnin normat e interesit, vetëm nëse vihen në dyshim përparimi i deritanishëm në kontrollin e inflacionit, edhe pse tregjet janë të bindur se ulja e normave të interesit do të vijnë në tremujorin e dytë të vitit 2024.
Investitorët janë plotësisht të sigurt se Rezerva Federale do t’i mbajë normat e interesit të pandryshuara në mbledhjen e dhjetorit, ndërsa ekzistojnë rreth 27% mundësi për një ulje të interesave në mars. Indeksi i dollarit, që mat ecurinë e monedhës së gjelbër përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, është në rritje me rreth 0.1% dhe po qëndron në rreth 103.7, duke u larguar nivelit më të ulët që nga fundi i gushtit, prej 103.2 që preku të martën.
Gjatë muajit nëntor, ky indeks ka rënë me 2.6% dhe pritet të realizojnë muajin më të keq për vitin 2023. Analistët thanë gjithashtu se pjesëmarrësit e tregut po tërheqin fitimet përpara se likuiditeti të pakësohet në vigjilje të Ditës së Falënderimeve në SHBA.
Ndërkohë, euro po tregtohet pranë nivelit të 1.09 përballë dollarit, niveli më i lartë që nga mesi i gushtit, ndërsa paundi po qëndron në rreth 1.253, niveli më i lartë në 2 muajt e fundit. Në fokus të tregjeve ishte edhe prezantimi i buxhetit në Mbretërinë e Bashkuar nga ministri i financave, Jeremy Hunt. Në lidhje me Bankën e Japonisë, më shumë se 80% e analistëve të anketuar nga Reuters parashikojnë se ky institucion do t’i japë fund normave negative të interesit në vitin 2024.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.