Edhe të vetëpunësuarit “largohen” nga kredia në euro – I drejtohen lekut për shkak të nënçmimit të fortë të monedhës evropiane
Ndërsa e kanë nisur vitin të orientuar më shumë nga huamarrja në euro, kategoria e të vetëpunësuarve ka zgjedhur të ndërrojë monedhë përgjatë muajve të 2023, duke u zhvendosur te huaja në lekë. Kredia në euro për këtë katgori ka rënë në rreth 17 milionë euro në dhjetor nga 18 milionë në nëntor. Kredia e të vetëpunësuarve në euro kishte arritur kulmin në gusht, në vlerën 1.95 miliardë lekë, afërisht 19 milionë euro, për të nisur një rënie graduale përgjatë gjithë fazës së fundit të vitit.
Në të kundërt, kredia në lekë e të vetëpunësuar shënoi rritje të vazhdueshme, me përjashtim të muajve shtator dhe tetor, kur shënoi rënie të lehtë. Në dhjetor të vitit 2023 ajo rezulton në total 4,47 miliardë lekë nga 4,43 miliardë në nëntor. Ndërkohë që rritja me bazë vjetore është e dukshme, në nivelin 25%. Nga 3.5 miliardë lekë në dhetor të vitit 2022, kredia për të vetëpunësuarit është rritur në 4.4 miliardë lekë në dhjetor 2023.
Me këtë distancim nga monedha e përbashkët evropiane, sektori i të vetëpunësuarve ka ndjekur sjelljen e bizneseve dhe individëve në raport me monedhën e përbashkët evropiane. Veçanërisht gjatë muajve të fundit të 2023, financimi i bizneseve dhe i individëve ka qenë në lekë, i ndikuar ndër të tjera nga normat më të ulëta të interesit për kreditë në lekë dhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit. Këta faktorë kanë shtyrë bizneset dhe individët të zhvendosin një pjesë të portofoleve të kredive të tyre nga valuta në lekë.
Kjo ecuri është reflektuar edhe në një strukturë valutore më të balancuar të kredisë. Gjysma e dytë e vitit 2023 ka sjellë edhe mbylljen e një numri të konsiderueshëm kredish në euro, si nga bizneset, ashtu edhe nga individët, për t’i konvertuar ato në monedhën tonë kombëtare.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.