Eksportet “tkurren” me 9.5% në vitin 2023 – Dhjetori konfirmon krizën e tregtisë, nënçmimi e euros “fajtori” kryesor
Kriza e tregtizë së jashtme vijon të reflektohet edhe në shifrat e dhjetorit, ku eksportet dhe imoprtet vijojnë të paraqiten më rënie, por krahasuar me Nëntorin tendenca është në rritje. Në Dhjetor të vitit 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 38 mld lekë, duke u ulur me 6.6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 14.2%, në krahasim me Nëntor 2023. Importet e mallrave arritën vlerën 73 mld lekë, duke rënë 23.1%, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 1.6%, në krahasim me Nëntorin e vitit 2023.
Shifrat tregojnë se gjatë vitit 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 440 mld lekë, duke u ulur me 9.5%, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 873 mld lekë, duke u ulur me 8.2%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar në vitin që lamë pas arriti vlerën 432 mld lekë, duke rënë me 6.7%, krahasuar me vitin 2022.
Gjatë muajit Dhjetor 2023, në uljen e eksporteve prej 6.6%, kanë ndikuar grupet “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -10.0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4.1 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me -1.8 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me 11.3 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me 0.9 pikë përqindje.
Nëse do të flasim në harkun kohor të një viti, në rënien e eskporteve prej 9.5%, krahasuar me një vit më parë, kanë ndikuar negativisht grupet “Materiale ndërtimi dhe metale” me 4.5 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 2.8 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 1.8 pikë përqindje, etj. Ndërkohë, pozitivisht ka ndikuar grupi “Ushqime, pije, duhan” me 0.8 pikë përqindje.
Sa i përket importeve gjatë muajit Dhjetor 2023, në rënien e tyre prej 23.1%, krahasuar me Dhjetorin e vitit 2022, negativisht kanë ndikuar grupet “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 19.7 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 2.1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 1.0 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht ka ndikuar grupi “Materiale ndërtimi dhe metale” me 1.1 pikë përqindje.
Gjatë vitit 2023, importet janë ulur me 8.2%, krahasuar me vitin 2022. Grupi kryesor që ka ndikuar negativisht në uljen vjetore të importeve është “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 7.3 pikë përqindje.
Xhorxhina Deda / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.