Energjia, ndryshojnë rregullat për vetëprodhuesit – Lidhjet e reja, OSHEE: Lehtësim procedurash, kostosh dhe reduktim kohe
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka bërë ndryshime në rregulloren për lidhjet e reja në rrjetin e shpërndarjes, ndërsa i kërkon Entit Rregullator të Energjisë miratimin e tyre. Në dokumentin e depozituar pranë ERE-s, thuhet se qëllimi është reduktimi i kohës së ofrimit të shërbimit dhe lehtësimi i procedurave për konsumatorët.
Një nga ndryshimet kryesore në rregullore lidhet me përcaktimin e kërkesave që duhet të përmbushin vetëprodhuesit e energjisë nga dielli për t’u lidhur me rrjetin e shpërndarjes. Rregullorja e re i ndan konsumatorët në 3 kategori, në varësi të kapacitetit total të instaluar. Kategoria e parë përfshin kapacitetin 0-10 kWp, ku sipas rregullores nuk është e nevojshme të dorëzohet projekti i miratuar nga persona fizikë dhe juridikë të licencuar. Ky dokument është detyrim për kategorinë e dytë ku përfshihen impiantet 11- 50 kWp.
Pjesa tjetër e dokumenteve është thuajse e njëjtë për këta konsumatorë, ku futet: Kërkesa, deklarata e konsumit mesatar përgjatë një viti, propozimi mbi modelin e matësit me dy drejtime, skema e matjes neto, relacioni teknik, aktkolaudimi i sistemit, etj. Ndërkaq, në kategorinë e tretë të vetëprodhuesve të energjisë nga dielli përfshihet kapaciteti 51 – 500 kWp. Sipas rregullores së propozuar, përveç dokumenteve të mësipërm këta autokonsumatorë duhet të kenë edhe leje nga bashkia për “punime që kryhen me deklaratë paraprake punimesh”, sipas vendimit të qeverisë për rregulloren e zhvillimit të territorit.
Rregullorja parashikon edhe disa ndryshime në drejtim të lidhjeve të reja për fuqinë instaluar 0-20 kW, ku tashmë nuk do të dorëzohen, fotokopja e certifikatës së rregjistrimit, genplani i vendndodhjes së objektit, si dhe deklarata e instalimit dhe protokolli i tokëzimit. Kjo pikë do të bëhet me vetëdeklarim, ndërsa arsyeja është eleminimi i dokumentacionit që përgatitet nga palë të treta dhe ka kosto shtesë për aplikantin, duke shkurtuar njëkohësisht edhe kohën e aplikimit.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.