Sa i “kushtoi” doganave zhvlerësimi i euros? – Të ardhurat në Janar kapërcejnë “ngërçin”. Arkëtohen 15 miliardë lekë
Administrata doganore ka arritur të arkëtojë 15 miliardë lekë apo rreth 155 milionë dollarë në Janar të këtij viti, duke e bërë atë muajin me perfomancën më të mirë të 10 viteve të fundit.
Referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, të siguruara nga SCAN TV, të ardhurat doganore ne krahasim me Janar 2023 janë realizuar me rreth 227 milionë lekë më shumë apo +1,5%, por ky trend do të ishte edhe më i lartë nëse do të llogaritej efekti negative i kursit të këmbimit. Konkretisht zhvlerësimi i euros i ka kushtuar buxhetit të doganave, rreth 1,3 miliardë lekë vetëm nga rënia e kursi të këmbimit apo rreth 10%.
Peshën kryesore në të ardhura e zë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar me rreth 9.9 miliardë lekë, ndjekur nga akciza, zë nga i cili janë mbledhur 4.3 miliardë lekë, taksat doganore kanë siguruar 639 milionë lekë dhe renta minerare 187 milionë lekë.
Sa i takon e ecurisë krahasuar me Janar 2023, akciza ka sjellë +197 milionë lekë dhe kjo shifër ka ardhur e ndikuar nga performanca pozitive e importit të karburantit, cigareve dhe verës.
Nga TVSH janë arkëtuar +30 milionë lekë ku kanë ndikuar kryesisht automjetet e përdorura, ndërsa negativisht ka performuar energjia elektrike dhe gazi.
Taksa doganore është realizuar me rreth +55 milionë leke më shumë, rritje kjo që vjen nga rritja e importeve të veshjeve, verës dhe frutave.
Ndërsa performancë negative ka pasur renta minerare, me –48 milionë lekë e ndikuar nga ulja e te ardhurave nga nafta bruto për shkak të rënies së çmimit.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.