Energjia “tkurr” të ardhurat e Rusisë – Niveli më i ulët i 13 muajve për shkak të sanksioneve perëndimore
Të ardhurat e Rusisë nga energjia u tkurrën në gusht në nivelin më të ulët në 13 muaj pasi sanksionet perëndimore e kanë detyruar Kremlinin të shesë naftë me çmime të zbritura dhe të frenojë flukset e gazit në Europë.
Refuzimi i disa klientëve tradicionalë në Europë për të blerë naftë ruse, e ka detyruar Moskën që të shesë me një ulje të madhe të çmimit në tregjet aziatike, duke e privuar atë nga përfitimi i çmimeve më të larta. Dhe ndërsa në gusht çmimet spot të gazit natyror arritën një rekord në Europë, pjesa e tij, e cila është më e vogël në buxhetin rus, nuk ishte në gjendje të kompensonte plotësisht të ardhurat më të ulëta të naftës.
Gazprom në pronësi shtetërore ka ulur ndjeshëm eksportet e gazit në Europë këtë verë, duke përmendur problemet operative të shkaktuara nga sanksionet. Të ardhurat nga nafta dhe gazi, të cilat përbëjnë më shumë se një të tretën e buxhetit të Rusisë, ranë në 11.1 miliardë dollarë muajin e kaluar. Kjo shifër është rreth 13% më e ulët që nga korriku dhe 3.4% nga një vit më parë, edhe pse çmimet e naftës së papërpunuar janë rritur gati 10% gjatë vitit të kaluar.
Një goditje e mëtejshme në buxhëtin e Kremlinit mund të vijë nga kufizimi i çmimit të propozuar nga G7 për naftën ruse dhe nënproduktet e naftës. Presidenti Vladimir Putin ka thënë se do të ndërpresë eksportet në vendet që miratojnë një masë të tillë, gjë që megjithatë mund të rrisë më tej zbritjen për blerësit e mbetur të karburantit rus.
Rënia mujore e të ardhurave të Rusisë nga nafta dhe gazi në gusht është rezultat i rregullave të pagesës së taksave, sipas ministrisë së financave të vendit. Prodhuesit rusë të naftës zakonisht paguajnë taksa në prill, korrik, tetor dhe janar, bazuar në fitimet e tremujorit të mëparshëm. Prandaj, taksa i dha një rritje prej 306.3 miliardë rubla shtesë për të ardhurat e korrikut.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.