Shqipëria Postuar më 5 Qershor 2026, 11:39

CEFTA: Vendet e rajonit shtyjnë drejt procedurave plotësisht elektronike dhe zhdoganimit më të shpejtë

Nga Edel Strazimiri

CEFTA: Vendet e rajonit shtyjnë drejt procedurave plotësisht

Administrata Doganore shqiptare mori pjesë në takimin e 31-të të Nënkomitetit të CEFTA-s për Doganat dhe Rregullat e Origjinës, i zhvilluar në Sarajevë, ku përfaqësuesit e vendeve të rajonit diskutuan mbi avancimin e reformave doganore dhe përdorimin e teknologjisë për modernizimin e proceseve.

Gjatë takimit u vlerësuan arritjet e deritanishme në zbatimin e Konventës së Rishikuar PEM, ndërsa në qendër të diskutimeve ishin edhe projektet për certifikatat elektronike të origjinës (e-PoC), zgjerimi i programeve të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO) dhe zbatimi i iniciativës CEFTA SEED+, e cila synon të përmirësojë shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin mes administratave doganore të rajonit.

Pjesëmarrësit u ndalën gjithashtu te rëndësia e procedurave tërësisht elektronike, analizës së të dhënave para mbërritjes së mallrave, menaxhimit të riskut dhe masave që ndihmojnë në përshpejtimin e procesit të zhdoganimit.

Sipas diskutimeve, modernizimi dhe harmonizimi i procedurave doganore konsiderohen faktorë të rëndësishëm për rritjen e efikasitetit, uljen e barrierave administrative dhe krijimin e kushteve më të favorshme për bizneset që operojnë në tregtinë rajonale.

Administrata Doganore shqiptare ritheksoi angazhimin e saj për thellimin e bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe për vijimin e reformave që afrojnë sistemin doganor me standardet e Bashkimit Europian, duke synuar një tregti më të lehtë, më të sigurt dhe më konkurruese.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat