Shqipëria Postuar më 9 Qershor 2026, 10:17

Shqipëria kërkon rol në zinxhirët strategjikë të BE-së/ Strategjia Industriale synon përpunimin e kromit, nikelit dhe bakrit

Nga Diamila Leka

Shqipëria kërkon rol në zinxhirët strategjikë të

Lëndët e para kritike mund të kthehen në një nga asetet më të rëndësishme të Shqipërisë në procesin e integrimit ekonomik me Bashkimin Evropian. Strategjia Kombëtare Industriale 2026–2030 evidenton se vendi zotëron rezerva me rëndësi tregtare të kromit, nikelit dhe bakrit, të cilat konsiderohen pjesë e lëndëve të para kritike dhe strategjike për Bashkimin Evropian.

Ky potencial e pozicionon Shqipërinë jo vetëm si vend përfitues nga fondet dhe programet evropiane, por edhe si kontribuese në sigurinë e furnizimit të BE-së. Në një kohë kur Evropa kërkon të diversifikojë burimet e saj dhe të ulë varësinë nga tregjet e largëta, Shqipëria mund të ketë rol më të rëndësishëm në përpunimin e materialeve dhe zhvillimin e zinxhirëve industrialë rajonalë.

Strategjia parashikon që përpunimi i lëndëve të para dhe thellimi i zinxhirëve të vlerës të trajtohen si pjesë e ekosistemeve industriale prioritare. Kjo nënkupton që synimi nuk është vetëm nxjerrja e mineraleve, por rritja e përpunimit brenda vendit, krijimi i më shumë vlere të shtuar dhe përfshirja e ndërmarrjeve shqiptare në zinxhirët evropianë të furnizimit.

Për ekonominë shqiptare, kjo përkthehet në mundësi për investime të reja, teknologji më të avancuar dhe vende pune më produktive. Por sfida mbetet tek formalizimi, standardet mjedisore, kapacitetet përpunuese dhe sigurimi i financimit për projekte industriale që mund të konkurrojnë në nivel evropian.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat