Shqipëria Postuar më 17 Qershor 2026, 12:51

Si mund të integrohet biznesi në tregun evropian? - Kapitali njerëzor, kyç për rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërinë

Nga Elisabeta Dosku

Si mund të integrohet biznesi në tregun evropian? - Kapitali

Rritja e produktivitetit të bizneseve shqiptare, përqendruar në fuqinë punëtore, është kyç për të kapërcyer sa më lehtë integrimin në Bashkimin Europian. 

Procesi i integrimit krijon mundësi të reja për sipërmarrjen shqiptare, por nga ana tjetër vjen me kërkesa më të larta për konkurrueshmëri, standarde si dhe produktivitet, i cili nuk lidhet vetëm me investimet në teknologji por edhe në kapitalin njerëzor. Për këtë arsye Swisscontanct Albania dhe SWISSA Albania organizuan një tryezë dialogu me përfaqësues të bizneseve.

“Bizneset tona duhet të bëhen më konkurruese dhe më produktive për të përmbushur standardet që tregu evropian kërkon. Por pa njerëz të aftë për të përballuar sfidat e teknologjisë mocderne, progresi mbetet i kufizuar”, tha Samir Shqarri, President, Dhoma e Tregtisë Zvicerane Shqiptare.

Aktualisht, Shqipëria rezulton me produktivitetin më të ulët të punës në rajon.

“Burimet njerëzore janë element shumë i rëndësishëm i produktivitetit të punës dhe ndërmarrjeve. Nëse bëhemi anëtarë të BE, do ndeshemi me firmat e BE që prodhojnë 10 herë më shumë dhe do ketë pasoja transformuese dhe shkatërruese për një pjesë të firmave shqiptare”, shprehet Neritan Sejamini, Konsulent i Ekonomisë dhe Politikave Publike.

Për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, komuniteti i biznesit po harton një program me 4 shtylla që synon të lehtësojë këtë proces për sipërmarrjet shqiptare dhe përqendrohet në ndërgjegjësim, transformim të kompanive, masat mbështetëse të qeverisë si dhe monitorim të ecurisë.

“Nëse bizneset nuk janë gati do humbin tregun, klientelën dhe do jemi thjeshtë konsumatorë. Nëse ne humbasim sovranitetin ekonomik, do kemi problem shumë të madh. Do importojmë inflacionin dhe krizat dhe do jemi konsumator, prandaj kemi bërë një program kombëtar të mbështetjes për bizneset, me katër shtylla kryesore”, theksoi Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë.

Pjesëmarrësit në aktivitet nga të gjithë sektorët ekonomisë ndanë vështirësitë konkrete që ka për ta procesi i integrimit në Bashkimin Evropian si dhe nevojën për një udhërrëfyes më të qartë dhe për më shumë mbështetje përmes politikave dhe financimeve publike.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat