Euro, e qëndrueshme pranë 1.095 USD – Investitorët presin shpenzimet e konsumit personal në SHBA
Dollari amerikan është dobësuar lehtë në sesionin e sotëm, pas fitimeve të realizuara një ditë më parë, për shkak të rënies së tregut të aksioneve, që i detyroi investitorët të preferojnë asetet e sigurta.
Paundi ishte monedha me performancën më të dobët në sesionin e kaluar, për shkak se inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar u ngadalësua në 3.9% gjatë nëntorit, niveli më i ulët në 2 vitet e fundit.
Të dhënat sugjerojnë se inflacioni e ka humbur vrullin, duke lejuar Bankën e Anglisë t’i bashkohet ciklit global të uljes së interesave vitin e ardhshëm. Euro po këmbehet e qëndrueshme, në rreth 1.095 dollarë, ndërsa jeni është rritur lehtë dhe po tregohet në rreth 143, në raport me monedhën e gjelbër.
Fokusi i tregjeve tashmë do të jetë te publikimi i indeksit bazë të shpenzimeve të konsumit personal në SHBA, që publikohet të premten, dhe parashikohet të jetë rritur me 0.2% me bazë mujore, në nëntor.
Ngadalësimi i ndjeshëm i inflacionit në SHBA ka bërë që investitorët të vlerësojnë se norma bzë e interesit nga Rezerva Federale do të ulet me 150 pikë bazë, gjatë vitit të ardhshëm.
Kjo ka bërë që indeksi i dollarit amerikan të bjerë me rreth 4% që nga fillimi i nëntorit. Edhe për tregun e monedhave, analistët parashikojnë luhatje të vogla për ditët e mbetura të vitit 2023, pasi investitorët bëjnë bilancet e vitit dhe përgatiten për vitin e ardhshëm.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.