FMN, ndihmë për vendet me të ardhura të ulëta – Synohet normalizimi i problemeve që lidhen me rritjet e çmimeve të ushqimeve
Fondi Monetar Ndërkombëtar po kërkon rrugë për të siguruar fonde emergjente për vendet që përballen me rritjen e çmimeve të ushqimeve të shkaktuara nga lufta në Ukrainë dhe do të diskutojë masat në një takim jozyrtar të bordit.
Kjo do të lejonte FMN-në të ndihmonte Ukrainën dhe vendet e tjera të goditura rëndë nga lufta, pa vendosur kushtet e kërkuara në një program të rregullt të fondeve.
Nëse miratohet, programi do të rrisë përkohësisht kufijtë ekzistues të aksesit dhe do t’i lejojë të gjitha shtetet anëtare të marrin hua deri në një shtesë prej 50% të kuotës së FMN-së sipas Instrumentit të Financimit të Shpejtë dhe Instrumentit të Kreditit të Shpejtë që u shërben vendeve me të ardhura të ulëta.
Çmimet e ushqimeve u rritën në mbarë botën pas fillimit të luftës në Ukrainë për shkak të rrugëve të bllokuara të furnizimit, sanksioneve dhe kufizimeve të tjera tregtare. Megjithatë, një marrëveshje e ndërmjetësuar nga OKB muajin e kaluar që lejoi rifillimin e eksporteve të grurit nga portet e Ukrainës, ka filluar të përmirësojë flukset tregtare dhe çmimet janë ulur në javët e fundit.
Huadhënësi me bazë në Uashington parashikoi në korrik se inflacioni do të jetë 6.6% këtë vit në ekonomitë e zhvilluara dhe 9.5% në ekonomitë në zhvillim, duke paraqitur një “rrezik të qartë” për stabilitetin makroekonomik aktual dhe të ardhshëm.
Shumë vende afrikane dhe vende të tjera të varfra që përballen me mungesë ushqimi dhe urinë akute kërkojnë më shumë para, por nuk është ende e qartë se sa vende do të kërkonin ndihmë financiare shtesë.
Propozimi i FMN-së do ta ndihmonte Ukrainën në një farë mase, por zyrtarët e saj thonë se ata kanë nevojë për një paketë financimi “të plotë” ndërsa punojnë për ta mbajtur qeverinë në këmbë gjatë luftës së parë të madhe të Europës që nga Lufta e Dytë Botërore.
Kreditorët ndërkombëtarë të Ukrainës kanë mbështetur një ngrirje dyvjeçare të pagesave për gati 20 miliardë dollarë në obligacione ndërkombëtare, por vendi duhet të bëjë 635 milionë dollarë pagesa kryesore për kreditë e mëparshme të FMN-së që nga mesi i shtatorit. Ekonomia e Ukrainës pritet të tkurret me 35% këtë vit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.