Furnizohemi me peshk nga Ekuadori dhe Greqia! – Harta e plotë/ 8.5 milionë euro produkte të importuara vetëm në Mars
Shqipëria është një vend me vijë bregdetare shumë të gjerë, por pavarësisht kësaj importi i peshkut dhe produkteve të detit është në nivele të larta. Referuar të dhënave zyrtare të tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT dhe të analizuara nga SCAN TV, rezulton se vetëm në muajin Mars, importi i peshkut dhe produkteve të detit regjistrohet në vlerën e 8.5 milionë eurove.
Ndërsa në sasi, rezultojnë se në muajin Mars janë blerë nga jashtë kufijve të Shqipërisë rreth 1890 ton peshk dhe produkte të tjera deti. Një pjesë e këtyre produkteve kryesisht açuge, kthehen sërish në eksport në formë të përpunuar, duke u shitur kryesisht në tregun evropian. Por cilat janë shtetet kryesore që furnizojnë Shqipërinë me peshk dhe produkte detit?
Harta nga ku blejmë është e njëjtë si ne sasi ashtu edhe në vlerë, por nëse do ti referohemi vlerës së importeve, në vendin e parë listohet Ekuadori, ndaj të cilit kemi paguar 1.1 milionë euro. Në vendin e dytë renditet Greqia, shtet nga i cili kemi importuar 1 milionë euro produkte në muajin Mars, e ndjekur nga Italia me 936 mijë euro, Spanja me 774 mijë euro, dhe Kanadaja e Danimarka me rreth 773 mijë euro secila. Ndërsa harta totale e furnizimit është me 20 shtete, ku nga vendet e tjera marrim sasi më të ulat dhe lista mbyllet me Gjermaninë.
Importi i peshkut dhe produkteve të detit Mars 2023
Në vlerë 8.5 milionë euro
Në sasi 1890 ton
Lista e vendeve nga ku importojmë peshk
Ekuadori 1.1 milionë euro
Greqia 1 milion euro
Italia 936 mijë euro
Spanja 774 mijë euro
Kanadaja 773 mijë euro
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.