Shqipëria krijon arbitrazhet, por fjala e fundit Gjykatave të Apelit – Projektligji rregullon edhe raportet me vendimet e arbitrazheve ndërkombëtare
Këshilli i Ministrave ka bërë publik vendimin për krijimin në Shqipëri të Gjykatave të Arbitrazhit, të cilat do të zgjidhin mosmarrëveshjet tregtare mes shtetit dhe bizneseve, apo subjekteve private me njëri tjetërin. Projektligji përcakton se objekt i një marrëveshjeje arbitrazhi mund të jetë çdo pretendim pasuror ose kërkesë që rrjedh nga një marrëdhënie pasurore, me përjashtim të rastit kur legjislacioni i posaçëm e ndalon zgjidhjen e mosmarrëveshjes nëpërmjet arbitrazhit.
Arbitrazhet do të përbëhen nga një arbitër i vetëm, ose nga një trup gjykues arbitrash, të përcaktuar nga palët. Në rastet kur marrëveshja e arbitrazhit përcakton shqyrtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes nga një trup gjykues arbitrash, palët janë të lira të përcaktojnë numrin e arbitrave, me kusht që numri i arbitrave të jetë një numër tek. Gjykata e arbitrazhit formohet në datën që arbitri i vetëm ose të gjithë arbitrat pranojnë detyrën.
Gjithësesi, vendimet e arbitrazheve nuk do të jenë përfundimtar, pasi ato mund të anulohen nga Gjykatat e Apeleve në vend.
Sa i përket marrëdhënieve me gjykatat ndërkombëtare të Arbitrazhit jashtë Shqipërisë, Projektligji përcakton se njohja e vendimit përfundimtar të një gjykate arbitrazhi jashtë Republikës së Shqipërisë bëhet në përputhje me rregullat e përcaktuara në Konventën për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja të Arbitrazhit të Nju Jork-ut të vitit 1958. Shkaqet për refuzimin e njohjes së vendimit përfundimtar të arbitrazhit të një shteti të huaj përfshijnë rastet kur: sipas dispozitave që janë në fuqi në Republikën e Shqipërisë, mosmarrëveshja nuk mund të jetë në juridiksionin e gjykatës së arbitrazhit që ka dhënë vendimin; kur palët në marrëveshjen e arbitrazhit, në bazë të ligjit të zbatueshëm për to, nuk kishin zotësi të plotë për të vepruar, kërkesëpadia nuk i është njoftuar palës tjetër në mungesë; objekti i mosmarrëveshjes nuk mund të zgjidhet me arbitrazh sipas legjislacionit shqiptar; apo kur ekzekutimi i vendimit do të ishte në kundërshtim me rendin publik.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.