Gjermani-Spanjë: Shtysë e re për gazsjellësin e Pireneve – Franca bën rezistencë!
Gjermania dhe Spanja po rrisin presionin për të bindur Francën, se mbarimi i ndërtimit të një gazsjellësi europian Jug- Veri që kalon nëpër Pirene është me rëndësi. Deri tani presidenti francez Emmanuel Macron e ka kundërshtuar projektin duke thënë, se nuk ia vlen si ekonomikisht ashtu dhe nga pikëpamja e politikës së mjedisit. Gazsjellësi 300 kilometra i gjatë, ndërtimi i të cilit është pezulluar më 2019, do të transportonte në Europën Qendrore gazin e shumtë të impianteve spanjolle të gazit.
Gazsjellësi Midcat ishte në qendër të axhendës së takimit të nivelit të lartë qeveritar gjermano- spanjoll në qytetin spanjoll, A Coruñ buzë Atlantikut. Jo shumë larg qytetit, në portin Mugardos, ndodhet një nga gjashtë terminalet e gazit që ka Spanja, – ndërkohë që Gjermania nuk ka pasur deri tani asnjë.
Në këtë terminal janë lidhur cisternat gjigande të mbushura me gaz të lëngshëm, që në rastin e Spanjës vijnë kryesisht nga SHBA, Algjeria dhe Nigeria. Në impiante gazi i lëngshëm, që anglisht quhet “liquefied natural gas”, shkurtimisht edhe LNG, kthehet sërish në gaz.
Në vitin 2023 Spanja do të nisë punën në një nga terminalet e gazit në portin e Atlantikut, në qytetin spanjollo-verior të Gijónit. Sipas të dhënave të operatorit Enagas, vetëm në Gijón mund të përpunohen çdo vit 100 cisterna, ngarkesa me LNG e të cilave i përgjigjet tetë miliardë metrave kubikë gazi natyror – pothuajse 15 % e sasisë, që vinte më parë në Gjermani nga Rusia me gazsjellësin Nordstream 1.
Spanja ka 30 për qind të gjithë kapaciteteve që ndodhen brenda BE-së dhe ajo i ofron Gjermanisë dhe gjithë vendeve të tjera europiane që kanë probleme në furnizimin me gaz, që të përdorin këto kapacitete, sepse impiantet spanjolle nuk shfrytëzohen sa duhet.
Edhe pse tingëllon joshëse në praktikë ka disa probleme për të zgjidhur. Për shembull: Si do të vinte gazi nga terminalet spanjolle në Europën Qendrore? Sepse që me largimin e Francës, planet për ndërtimin e plotë të gazsjellësit Jug – Veri nga Spanja në Francë dhe lidhjen e tij me rrjetet europiane të gazit, kanë përparuar pak.
Dy gazsjellës të vegjël, që ekzistojnë tashmë midis Spanjës dhe Francës nuk janë shfrytëzuar as tani, muaj të tërë pas shpërthimit të luftës ruse kundër Ukrainës dhe mungesës së gazit që pasoi prej saj. Përveç kësaj, do të zgjaste kohë deri sa të përfundonte ndërtimi i gazsjellësit të ri që do të kalonte nëpër Pirene.
Megjithatë Macron tregon gatishmëri për të zhvilluar dialog. As kancelari gjerman Scholz, as kryeministri spanjoll Sánchez nuk kanë qenë në gjendje deri tani ta bindin Macronin për MidCat-in por, nëse do të ketë argumente të reja, ai është i gatshëm të rimendojë pikëpamjen e tij. DW
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.