Goditja e trefishtë për ekonominë greke – Parashikim i zymtë për të ardhmen nga Moody’s
Ekonomia greke po shfaq probleme për sa i përket zhvillimit, duke bërë që dhe vlerësimi i Moody’s të jetë negativ. Një rol të madh luan rritja e cmimeve të prodhimeve ushqimore ku bën pjesë dhe vaji i ullirit. Vendi ndodhet zyrtarisht përballë një viti të vështirë financiar
Të dhënat në lidhje me ecurinë e ekonomisë greke kanë shfaqur probleme, të cilat tregojnë se gjërat nuk po shkojnë ashtu siç pretendon të paktën qeveria. Ecuria më e ulët se sa pritej në rritjen e PBB-së greke për vitin 2023, rritja e vazhdueshme e çmimeve – kryesisht në prodhimet ushqimore, ndërkohë që inflacioni grek mbetet mbi mesataren europiane dhe “goditja” e Moody’s janë pika të forta shqetësimi përpara një viti të vështirë financiar. Në fund të fundit, mjedisi ndërkombëtar mbetet i vështirë, gjë që është reflektuar si në rënien e eksporteve greke, ashtu edhe në investime në atë që ka të bëjë me Greqinë që po zhvillohet.
Vlerësimet e para të ELSTAT, tregonin se PBB-ja vitin e kaluar u rrit me 2%, kundrejt një parashikimi prej 2.4%. Me çmimet aktuale ai arriti në 220.3 miliardë euro, kur borxhi privat i Greqisë është më i madh dhe arrin në 224 miliardë euro. Më të ulëta se parashikimet, këto ecuri konsiderohen veçanërisht shqetësuese, në një mjedis me inflacion të lartë.
Përqindja më e ulët e PBB-së rrit shkallën e vështirësisë që qeveria të regjistrojë teprica primare të larta për vitin 2024, e për rrjedhojë të japë bonuse ekstra për qytetarët dhe familjet në nevojë, si për shembull një pagesë për Pashkët apo për të plotësuar kërkesat e fermerëve.
Për vitin 2024 qeveria greke e bazon planifikimin e saj në një normë rritjeje të PBB-së prej 2.9%, dhe buxheti i këtij viti duhet të mbyllet me një suficit primar pothuajse dyfishin e atij të vitit 2023, pra 2.1% të PBB-së: gati 5 miliardë euro.
Vlerësimi i Moody’s, jo vetëm që nuk i dha – nga ana e tij – notën investuese Greqisë, por as që ngriti perspektivat e ekonomisë greke. Është fakt se vendi ende është dukshëm më pak se mesatarja europiane. Investimet në Greqi janë në 13% të PBB-së kur mesatarja e BE-së i afrohet 21% në 22%, që përkthehet në disa miliardë euro.
Moody’s kishte arsye të tjera për të mos përmirësuar Greqinë, si për shembull fakti që raporti i borxhit ndaj PBB-së mbetet i lartë. Në të njëjtën kohë, ai konstatoi se deficiti i llogarisë korente mbetet i madh, ndërsa ekonomia greke mbetet e pambrojtur ndaj goditjeve të jashtme pasi sektorë të rëndësishëm të ekonomisë janë detaria dhe turizmi. Ai gjithashtu bën thirrje për reforma të vazhdueshme veçanërisht në sistemin gjyqësor, por edhe një përmirësim më të shpejtë se sa pritej në fuqinë fiskale.
Vihet re se te frutat dhe perimet e freskëta, gjatë vitit 2023 kanë shënuar rritje të çmimeve të produkteve si pasojë e rritjes së kostove të prodhimit dhe fenomeneve ekstreme klimatike. Kategoria e prodhimeve ushqimore, ku përfshihet edhe vaji i ullirit, ka shënuar rritje prej 5.18%.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.