251 milionë euro sigurime për dy muaj – Janar – shkurt/ Shifra më e lartë në 5 vitet e fundit
Viti 2024 ka nisur mbarë për buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe për skemën e pensioneve, pasi të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kanë pësuar rritje të ndjeshme.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se për periudhën Janar-Shkurt, janë arkëtuar 25.8 miliardë lekë apo 251 milionë euro detyrime të derdhura nga punonjësit në sektorin publik dhe privat në Shqipëri.
Nëse do ta krahasojmë me të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme vihet re një kapërcim i lartë në të ardhura, ku në 2-mujorin 2020 rezultonin në 17.1 miliardë lekë, duke regjistruar një rritje prej 8.7 miliardë lekësh në 2-mujorin e parë të 2024.
Po ashtu e krahasuar me Janar-Shkurt të një viti më parë, rritja në të ardhura rezulton në afro 2.9 miliardë lekë. Mirëadministrimi, politikat shtetërore dhe lufta ndaj informaliteti apo nëndeklarimit të pagave, duket se po kompenson disi edhe mungesën e fuqisë punëtore në vend.
Pagesa minimale për kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për individ është rreth 11 mijë lekë në muaj. Të ardhurat në skemën e pensioneve në vitin 2023 arritën në 134 miliardë lekë.
Aktualisht, me konsulencën e Bankës Botërore, qeveria shqiptare po përgatit një reformë të re të mbrojtës sociale, me qëllim rritjen e mëtejshme të mbështetjes për këto kategori, si edhe sigurimit të një raporti sa më të drejtë mes nivelit të kontributeve dhe përfitimeve në skemën e pensioneve.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.