Home banking, mbi 600 mijë transaksione në janar – Shifrat flasin për rreth 170 milionë lekë të transferuara
Janë regjistruar më shumë se 652 mijë transaksione përmes shërbimeve home banking në muajin janar të këtij viti, tregojnë të dhënat nga Banka e Shqipërisë. Për muajin e parë të vitit 2024 vlera monetare e transferuar përmes shërbimeve home banking regjistrohet në 170 milionë lekë.
Shërbimet home banking kanë shënuar rritje të dukshme gjatë vitit të shkuar, duke regjistruar në total një volum prej më shumë se 7 milionë transaksionesh. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, nga 6,279,470 transaksioneve të kryera online në vitin 2022, totali i tyre është rritur me 22% duke arritur në 7,666,810 në fund të vitit që lamë pas.
Ndërkohë, edhe më i madh ka qenë volumi i parave të transferuara përmes këtyre transaksioneve. Nga 1,5 miliardë lekë në vitin 2022, totali i vlerave monetare të transferuara përmes shërbimeve home banking ka kaluar në mbi 2 miliardë për vitin 2023, ose afërisht 20 milionë euro.
Banka e Shqipërisë publikon të dhënat e home banking që prej vitit 2015, kur numri i transaksioneve ishte vetëm 1.4 milionë, ndërkohë që volumi i tyre ishte shumë herë më i vogël nga sa është aktualisht.
Xhorxhina Deda/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.