I ftohti në SHBA mbështet naftën – Prodhimi në Dakotën e Veriut bie me 400,000 fuçi në ditë
Nafta është kthyer në rritje në orët e pasdites, pas humbjeve të realizuara një ditë më parë, për shkak të shqetësimeve për ngadalësimin e kërkesës. Gjatë ditës së sotme, çmimet po mbështeten nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe nga i ftohi që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara. Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 78 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 73 dollarë për fuçi.
Shqetësimet në lidhje me kërkesën për naftë në Kinë kanë ushtruar presion mbi çmimet, pasi banka qendrore e vendit e la të pandryshuar politikën monetare, duke ndikuar gjithashtu tregun e naftës. Ndërkohë, moti jashtëzakonisht i ftohtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të frenojë prodhimin e naftës dhe gjithashtu të ndikojë në operacionet kryesore të rafinerive. Prodhimi i naftës në Dakotët e Veriut tashmë ka rënë me 400,000 fuçi në ditë, për shkak të të ftohtit ekstrem. Analistët shprehen se situata e tregut nuk është shumë optimiste, për shkak të përshkallëzimit të tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme, që kanë eklipsuar rritjen e rezervave në SHBA.
Të dhënat zyrtare të rezervave nga Administrata për Informimin mbi Energjinë në Shtetet e Bashkuara priten të publikohen të enjten, një ditë më vonë se zakonisht për shkak të një feste kombëtare të hënën. Në Lindjen e Mesme, lëvizja Houthi e Jemenit do të zgjerojë objektivat e saj në rajonin e Detit të Kuq, duke përfshirë edhe anijet amerikane, tha të hënën një zyrtar u grupit që mendohet se mbështetet nga Irani. Gjithmonë e më shumë anije cisternë po largohen nga itinerari i Detit të Kuq, duke zgjedhur rrugë të tjera, por me kosto më të larta dhe një kohë më të gjatë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.