Tregjet, të fokusuar te Forumi Ekonomik i Davosit – Diskutohet inflacioni, inteligjenca artificiale, lufta dhe zinxhiri i furnizimit
Tregjet europiane të aksioneve po qëndrojnë në rënie në sesionin e sotëm, ndërsa tregu i kriptomonedhave po shfaqet i qëndrueshëm, pasi investitorët janë të fokusuar te komentet e zyrtarëve më të lartë, në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, që filloi të hënën. Edhe gjatë ditës së sotme, bitcoin po tregtohet poshtë 43,000 dollarëve, ndërsa investitorët presin të tjerë katalizatorë në mbështetje të çmimeve. Në ditën e dytë të punimeve, forumi u përshëndet nga kryeministri i Kinës, Li Qiang, nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në SHBA, Jake Sullivan dhe nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.
Në forumin e këtij viti, të titulluar “Rindërtimi i Besimit”, rreth 2,800 liderë globalë të biznesit dhe politikës nga 120 vende janë mbledhur në resortin zviceran të skive, për të diskutuar çështje emergjente ekonomike dhe gjeopolitike, duke filluar nga inflacioni dhe zinxhirët e furnizimit, e deri te inteligjenca artificiale, lufta dhe sfidat e sigurisë. Për sa i përket tregjeve, analistët mendojnë se 2024 do të jetë një “vit miks” për investime, me situatën që do të përmirësohet në gjysmën e dytë të vitit.
Bisedimet në Davos zhvillohen në një kohë perspektiva makroekonomike mbetet e udhëhequr nga pasiguritë se kur bankat qendrore do të fillojnë të ulin normat e interesit. Sapo uljet e shumëpritura të interesave të materializohen, pritet një rritje edhe e investimeve. Ndërkohë, presidenti i Forumit Ekonomik Botëror, Borge Brende, deklaroi se ekonomitë globale duhet të përdorin platformën e ofruar nga Forumi për të rritur bashkëpunimin dhe për të kapërcyer sfidat e përbashkëta, në mënyrë që të mbështetet rimëkëmbja ekonomike mes një sfondi të ngadaltë dhe të pasigurt.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.