India lë pas Hong Kongun – Tregu i shtatë më i madh i aksioneve në botë
Vlera e tregut të aksioneve të Indisë ka tejkaluar atë të Hong Kongut për t’u bërë i shtati më i madhi në botë, ndërsa optimizmi për perspektivat ekonomike të vendit rritet. Në fund të nëntorit, kapitalizimi total i tregut të Bursës Kombëtare të Indisë ishte 3.989 trilionë dollarë kundrejt 3.984 trilionë dollarëve të Hong Kongut, sipas të dhënave nga Federata Botërore e Shkëmbimeve.
Indeksi ‘Nifty 50’ i Indisë arriti një tjetër rekord të lartë të martën. Ai është zgjeruar me 16% deri më tani këtë vit dhe po shkon drejt vitit të tetë radhazi të fitimeve. Nga ana tjetër, indeksi standard i Hong Kongut Hang Seng është tkurrur 17%.
India ka qenë një treg i spikatur këtë vit në rajonin Azi-Paqësor. Rritja e likuiditetit, më shumë pjesëmarrja e brendshme dhe përmirësimi i dinamikës në mjedisin makro global në formën e rënies së yield-eve të thesarit të SHBA-së, të gjitha së bashku kanë nxitur tregjet e aksioneve të vendit. Vendi më i populluar në botë gjithashtu shkon në zgjedhjet e përgjithshme vitin e ardhshëm, të cilat analistët parashikojnë se mund të jenë një fitore tjetër për Partinë nacionaliste në pushtet Bharatiya Janata.
Analistët shprehen se për zgjedhjet e përgjithshme, sondazhet e opinionit dhe zgjedhjet e fundit shtetërore tregojnë se qeveria aktuale e udhëhequr nga Janata mund të sigurojë një fitore vendimtare, e cila mund të shkaktojë një shtytje të madhe në tre deri në katër muajt e parë të vitit në pritshmëritë e vazhdimësisë së politikës. Sipas tyre bankat, kujdesi shëndetësor dhe energjia janë sektorët më të mirë të pozicionuar për vitin e ardhshëm.
Sektorë të tillë si automjetet, shitësit me pakicë, pasuritë e paluajtshme dhe telekomunikacioni janë gjithashtu të pozicionuar relativisht mirë për vitin 2024, ndërsa mallrat e konsumit me lëvizje të shpejtë, shërbimet komunale dhe kimikatet janë ndër ato të kategorizuara si të pafavorshme. Indeksi ‘Hang Seng’ i Hong Kongut është gati të shënojë një vit të katërt rënieje dhe është performuesi më i keq midis tregjeve kryesore të aksioneve në Azi-Paqësor.
Javën e kaluar, Moody’s uli perspektivën e tij për Hong Kongun nga e qëndrueshme në negative, duke përmendur lidhjet financiare, politike, institucionale dhe ekonomike të qytetit me Kinën kontinentale. Kjo ulje erdhi menjëherë pasi Moody’s reduktoi perspektivën e saj për vlerësimet e kreditit të qeverisë së Kinës në negative nga të qëndrueshme. Në fillim të nëntorit, qeveria e Hong Kongut tha se pret që ekonomia të rritet me 3.2% në 2023.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.