Inflacioni ende në rritje – Arsyet dhe ndryshimet mes situatës në SHBA dhe BE
Asnjëherë kaq i lartë prej 40 vitesh. Inflacioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënoi në muajin qershor një nivel rekord, prej 9.1%, i arritur asnjëherë më parë prej 40 vitesh. Një nivel i tillë u regjistrua në vitin 1981 kur president ishte republikani Ronald Reagan
Një rritje konstante që vërehet në ritmet e muajve të fundit, duke qenë se në maj ishte rritur me 8.6%. Norma e CPI – indeksi i çmimeve të konsumit – në qershor ishte rritur me 1.3% krahasuar me muajin e kaluar, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të benzinës, banesave dhe ushqimeve.
Rritjet e normave të Rezervës Federale tani janë të pritshme: në qershor u rritën me 0.75%, rritja më e madhe që nga viti 1994 që shkoi shumë përtej planeve fillestare për një rritje prej 0.5%. Tregtarët tashmë presin një rritje tjetër prej 75 pikë bazë në takimin e ardhshëm më 27 korrik
Për presidentin amerikan Joe Biden, niveli i inflacionit është i papranueshëm por në një mënyrë është dhe i vjetër. Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, vetëm energjia ka thithur pothuajse të gjithë rritjen mujore dhe të dhënat e sotme nuk pasqyrojnë ndikimin e gati 30 ditëve të rënies së çmimit të gazit, që ka ulur çmimin në pikat e shitjes me afro 40 cent që nga mesi i qershorit.
Një argument i ngjashëm mund të diskutohet edhe në Europë, ku në qershor inflacioni arriti në 8.6%, vlera më e lartë në historinë e saj, pra që nga krijimi e monedhës së përbashkët në 1999 dhe në Itali arriti në 8%, shifra më e lartë që nga viti 1986.
Këto të dhëna u reflektuan në ecurinë e bursave europiane, të cilat pësuan humbje mbi 2%, dhe më pas patën një rikthim të lehtë.
Por cili është ndryshimi midis këtyre dy inflacioneve rekord? Eskpertët shpjegojnë se në Shtetet e Bashkuara, rritja e çmimeve është e lidhur kryesisht me zgjerimin e tregut të punës dhe rritjen e pagave, ndërsa në Eurozonë, ku tregu i punës është i ngurtë dhe pagat janë të bllokuara, shkaku kryesor mbetet kostoja e energjisë e gazit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.