Kinezët nuk udhëtojnë më! – Mungesa e tyre privoi turizmin botëror nga 129 miliardë dollarë
Turizmi global mund të jetë rikuperuar kryesisht nga goditja masive e pandemisë, por ka një klasë udhëtarësh që nuk janë kthyer kurrë në restorantet Taipeit apo në dyqanet e modës në Paris. Kinezët bënë 170 milionë udhëtime jashtë vendit në vitin 2019, duke shpenzuar 248 miliardë dollarë, pasi blenë gjithçka nga biletat e linjës ajrore dhe qëndrimet në hotele deri te veshjet dhe aksesorët nga markat luksoze. Në fakt, ato përbënin 14% të shpenzimeve për udhëtime jashtë shtetit në mbarë botën, sipas të dhënave nga Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit.
Pas koronavirusit, hotelierët, shitësit dhe agjentët e udhëtimit që i prisnin, u zhgënjyen. Sipas të dhënave të analizuara nga Bloomberg, vendet në fluturimet që nisen nga Kina për jashtë aktualisht korrespondojnë me vetëm 60% të niveleve të vitit 2019. Në fakt, 45 destinacione të huaja nuk kanë më lidhje ajrore direkte me Kinën.
Mungesa e kinezëve e privon turizmin global prej 129 miliardë dollarësh të ardhura, tregojnë studimet. Arsyet për këtë ulje janë të ndryshme. Rritja e ekonomisë kineze nuk është aspak dinamike, me rezultat që konsumatorët kinezë preferojnë pushime më të lira brenda kufijve. Tensionet politike kanë vonuar rivendosjen e lidhjeve turistike. Luftërat në Ukrainë dhe Gaza e kanë bërë më të komplikuar udhëtimin në distanca të gjata. Dhe në sytë e publikut kinez të ndërgjegjshëm për sigurinë, udhëtimet jashtë shtetit duken më pak tërheqëse.
Por është gjithashtu rezultat i politikës së Presidentit Xi Jinping. Ndërsa ekonomia po lufton, zyrtarët kinezë i kanë dhënë prioritet turizmit lokal sesa udhëtimeve në distanca të gjata. Për shembull, ata mundësuan blerjet pa taksa në ishullin Hainan dhe hapën vende të reja koncertesh. Qeveria po promovon gjithashtu udhëtimet në destinacione specifike, si Arabia Saudite, e cila është një partner i rëndësishëm i Kinës në projektin “Një brez një rrugë”. Ekspertët theksojnë se gjeopolitika ka ndikuar në destinacionet ndërkombëtare ku kinezët shkojnë.
Në Europë, të dhënat e Bloomberg tregojnë se të paktën një e katërta e qyteteve që dikur kishin fluturime direkte për në Kinë, tani nuk kanë më një akses të tillë. Ndër këto qytete janë Praga dhe Oslo.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.