Koha për të kaluar në 5G, implementimi që në 2024 – AKEP: Akses korporatave në qendra tregtare, industrive, apo aeroporte
Implementimi i teknologjisë 5G duket se do të nisë që këtë vit, duke u bazuar te arkitektura aktuale 4G, ndërkohë që synohet një korridor i përbashkët 5G me Kosovën. Mbërritja e rrjetit supër të shpejtë, mbi 10 herë krahasuar me teknologjitë aktuale 3G dhe 4G, paralajmërohet në dokumentin e sapo hedhur për konsultim publik nga Agjencia e Komunikimeve Elektronike “Mbi dhënien e të drejtave të përdorimit të frekuencave të brezit 3400 – 3800 MHz”.
Aty AKEP sqaron se nga praktikat e ndjekura në vendet e BE-së në lidhje me futjen e teknologjisë 5G në tregun e telefonisë mobile, implementimi fillestar i teknologjisë 5G në këtë brez frekuencash ka përfituar nga ripërdorimi i arkitekturës ekzisutese të teknologjisë 4G më implementimin Non-stand Alone (NSA). Ky brez frekuencash është caktuar kryesisht në shtetet Anëtare të BE-së dhe përfiton nga ekonomitë e mëdha të shkallës (duke qenë se është brezi kryesor 5G në mbarë botën).
Alokimi i duhur i këtij brezi frekuencash, nënvizon AKEP, do të kontribuojë në mënyrë pozitive në konkurrencën midis operatorëve ekzistues në treg, pasi disponueshmëria e frekuencave të lira në këtë brez mund të inkurajojë futjen në tregun e telefonisë celulare edhe të operatorëve të rinj që mund të operojnë me teknologjinë 5G, apo të nxisi rritjen e kërkesave për akses dhe nga aktorë të tjerë (si: korporatat e mëdha, autoritete publike, etj) duke u ofruar zgjidhje të dedikuara sipas nevojave specifike të këtyre subjekteve (p.sh: përdorime në qendra tregtare, përdorime industriale në port ose aeroport, etj).
Në Kapitullin 3, “Akses pa tel me brez të gjerë (BWA)”, ku përfshihet edhe brezi 3400-3800 MHz, përcaktohet që ky brez do të alokohet për mënyrën e operimit TDD (Time-Division Duplexing), bazuar në blloqe 5 MHz duke filluar nga kufiri më i ulët 3600 MHz dhe blloqet e shumëfishta fqinje prej 5 MHz mund të kombinohen për të përfituar kanal më të gjerë.
Një çështje me rëndësi që adreson dokumenti i hedhur për konsultim publik, është edhe Memorandumi i Bashkёpunimit mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës “Për krijimin e korridorit digjital 5G dhe lehtësimin e lëvizjes në të ardhmen”, nënshkruar në tetor të vitit 2020.
Memorandumi synon bashkëpunimin midis dy vendeve, ndër të tjera edhe hartimin e politikave dhe programeve të zhvillimit të rrjeteve 5G, në përcaktimin e standardeve për rrjete të sigurta dhe lëvizshmërinë, bazuar në praktikat e mira të BE-së dhe angazhimet ndërkombëtare për rrjetet e pastra.
Bashkëpunimi në këtë fushë, bazohet në zhvillimet teknologjike bashkëkohore dhe në angazhimet e marra me miratimin e Planit Rajonal të Ballkanit Perëndimor, në deklaratën e përbashkët të Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, në Samitin e Sofjes (Bullgari) më 17 Maj 2018, si dhe në iniciativat e Bashkimit Evropian për “5G Corridors and Automated Driving Cars”.
Lorenc Rabeta/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.