Kompania më e madhe e naftës “ndal prodhimin” – Saudi Aramco “ngrin” planet për të rritur kapacitetin në 13 mln fuçi në ditë
Kompania Saudi Aramco, e kontrolluar nga shteti saudit, njoftoi të martën se do të ndalojë planet për të rritur kapacitetin e prodhimit në 13 milionë fuçi naftë në ditë, nga 12 milionë aktualisht. Në një njoftim për mediat, kompania më e madhe eksportuese e naftës në botë deklaroi se është urdhëruar nga Ministri i Energjisë për ta mbajtur Kapacitetin Maksimal të Qëndrueshëm (MSC) në nivelet aktuale.
Vendimi vjen disa vite dhe miliarda dollarë të shpenzuar, pas marrjes së direktivës për të rritur kapacitetin e prodhimit në 13 milionë fuçi naftë në ditë, deri në vitin 2027. Saudi Aramco, që u bë publike me Ofertën Fillestare në vitin 2019, nuk dha detaje mbi arsyet që detyruan ministrinë ta marrë këtë vendim, por tha se do të përditësojë udhëzimet mbi shpenzimet kapitale kur të publikohen rezultatet financiare për vitin 2023, në muajin mars.
Megjithatë, ky vendim për të ndaluar planet për rritjen e kapacitetit të prodhimit nuk ka ndikuar në çmimet e naftës, me Brentin e Londrës që tregtohet në mbi 82 dollarë për fuçi, pas rënies me rreth 1 dollar të hënën. Njoftimi vjen mes shqetësimeve në rritje për perspektivën e kërkesës për naftë në mbarë botën, duke pasur parasysh tranzicionin progresiv global drejt dekarbonizimit, që po vë në pikëpyetje projektet e investimeve afatgjata në lëndët djegëse fosile.
Kërkesa globale për naftë parashikohet të jetë rritur me 2.3 milionë fuçi, gjatë vitit 2023, në totalin e 101.7 milionë fuçive, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Arabia Saudite ka udhëhequr disa vende brenda OPEC+, që kanë këmbëngulur në një strategji të dyfishtë të tranzicionit të energjisë, që ende përdor naftën dhe gazin derisa burimet e rinovueshme të jenë të mjaftueshme për të përmbushur kërkesës globale. Por, kritikët e kanë cilësuar këtë qasje të Arabisë Saudite si egoiste.
Mesa duket, Riadi zyrtar po ndal rritjen e mëtejshme të kapaciteteve dhe po redukton aftësinë për të kapur pjesë të tregut, në një kohë që SHBA po prodhon një vëllim të paprecedentë të naftës së papërpunuar, rreth 13 milionë fuçi naftë në ditë, pavarësisht politikave për të mbrojtur klimën, të presidentit, Joe Biden.
Lidion Kulla/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.