Ndryshimet për zonat e mbrojtura – Bino: I hapet rrugë ndërtimeve të ndaluara. Më shumë kohë për konsultimin e pr/ligjit
Organizatat e shoqërisë civile kanë paraqitur argumentet kundër ndryshimeve në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, të kërkuara nga deputetët e maxhorancës.
Gjatë një seance dëgjimore, në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Tualant Bino nga Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë argumentoi se ndryshimet e propozuara nga deputetët shkojnë kundër frymës së ligjit, që synon mbrojtjen e këtyre territoreve, ndërsa i hap rrugë zhvillimit të një sërë projektesh të ndaluar për t’u zhvilluar si pasojë e dëmeve që sjellin në mjedis.
Kreu i komisionit, Arben Pëllumbi mbështeti disa nga argumentet e Binos.
Ndërkaq, diskutime u zhvilluan edhe në drejtim të kalimit të projektligjit në seancë plenare, në datën 15 shkurt. Bino e konsideroi kohën e mbetur për diskutimin e ligjit, si të pamjaftueshme, duke kërkuar një shqyrtim jo të nxituar.
Ndërkohë, Pëllumbi e la të hapur mundësinë për shtyrjen e këtij afati të përcaktuar në kalendarin parlamentar. Qeveria nuk ka paraqitur ende qëndrimin e saj për këto ndryshime ligjore.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.