Kompanitë teknologjike shkurtojnë mijëra vende pune – Objektivi aktual, shpenzimi i miliarda eurove në Inteligjencën Artificiale
Pas një viti pushimesh masive nga puna, shkurtimet e vendeve të punës në kompanitë më të mëdha të industrisë së teknologjisë vazhduan dhe në muajin e parë të 2024-ës. Google e nisi vitin duke pushuar nga puna qindra punonjës. Amazon ndoqi shembullin, duke shkurtuar qindra vende pune në divizionin e saj Prime Video. Dhe Meta vijoi me reduktime stafi sidomos në postet drejtuese. Microsoft gjithashtu shkurtoi 1.900 vende pune në divizionin e tij të video lojërave. Pushimet nga puna vazhduan edhe pse shitjet, fitimet dhe çmimet e aksioneve u rritën.
Kjo divergjencë, sipas analistëve, ka të bëjë me dy sfida të mëdha me të cilat përballet industria: frenimi i zgjerimit të furishëm të fuqisë punëtore që ndodhi gjatë pandemisë, duke zgjeruar njëkohësisht inteligjencën artificiale. Tani, në vend që të punësojnë mijëra persoba çdo tremujor, kompanitë po shpenzojnë miliarda euro në teknologjinë e IA që një ditë mund të sjellë triliona euro fitime.
Shefi ekzekutiv i Meta, Mark Zuckerberg tha se kompania e tij duhej të pushonte nga puna punonjësit dhe të kontrollonte kostot për të pasur mundësinë e investimit në vizionin afatgjatë dhe ambicioz rreth IA. Nga fundi i vitit 2019 deri në vitin 2023, kompanitë e teknologjisë u përpoqën të vazhdonin me boom-in e kërkesës së konsumatorëve pasi njerëzit që qëndruan në shtëpi morën kompjuterë të rinj dhe shpenzonin shumë më tepër kohë në internet.
Apple, Amazon, Meta, Microsoft dhe Alphabet, kompania mëmë e Google, shtuan më shumë se 900.000 vende pune në total. Kur ky “boom” mbaroi, ata u detyruan të përshtateshin. Meta, Amazon, Microsoft, Google dhe Apple shkurtuan rreth 112.000 vende pune nga periudha e pikut në 2021 dhe 2022.
Megjithatë, ato ishin ende shumë më të mëdha dhe më fitimprurëse se para pandemisë. Sot, pesë kompanitë punësojnë 2.16 milionë njerëz, 71% më shumë se në periudhën para pandemisë. Së bashku, ata regjistruan shitje prej 1.63 trilionë dollarë në vitet e fundit fiskale, rreth 81% më shumë të ardhura se pesë vjet më parë.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.