Riparim i pajisjeve për të shmangur blerjet e reja – BE, direktivë për të udhëzuar konsumatorët drejt kursimit të parave
Brukseli pritet të prezantojë një direktivë që do t’i lejojë konsumatorët të riparojnë pajisjet e prishura në mënyrë më ekonomike, në vend që t’i zëvendësojnë ato me të reja, duke shpenzuar më shumë para.
Pak ditë më parë u arrit një marrëveshje politike mes Parlamentit Europian dhe Këshillit për një propozim përkatës për një direktivë nga Komisioni Europian. Parlamenti Europian dhe Këshilli tani do të duhet të miratojnë zyrtarisht marrëveshjen politike. Pasi të dalë zyrtarisht, direktiva do të hyjë në fuqi në ditën e 20-të pas botimit të saj në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian.
Disa nga pikat kryesore të direktivës së re sugjerojnë se kur ndodh një defekt brenda garancisë ligjore, konsumatorët do të përfitojnë nga një garanci ligjore e zgjatur prej një viti nëse zgjedhin ta riparojnë produktin.
Gjithashtu pas skadimit të garancisë ligjore, konsumatorët do të mund të kërkojnë një riparim më të lehtë dhe më të lirë të defekteve të produkteve që janë teknikisht të riparueshme: si tableta, telefona celularë, por edhe lavatriçe, pjatalarëse etj. Nga ana tjetër prodhuesve do t’u kërkohet të publikojnë një katalog me informacion mbi procesin e riparimit, si dhe një listë çmimesh treguese për punët më të zakonshme.
Pjesët duhet të jenë të disponueshme me çmime të arsyeshme dhe prodhuesit do të ndalohen të vendosin pengesa të lidhura me harduerin ose softuerin për riparim, si p.sh. parandalimi i përdorimit të pjesëve të përdorura, të pajtueshme dhe të printuara 3D nga riparues të pavarur, në përputhje me ligjin në fuqi.
Shteteve anëtare u kërkohet të marrin të paktën një masë për të promovuar riparimin, si kuponët e zbritjes për riparime. Këto masa do të mund të financohen nga fondet e Komunitetit. Pika e fundit sugjeron krijimin e një platforme europiane riparimi përmes së cilës konsumatorët mund të gjejnë lehtësisht riparuesit e duhur.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.