Korrupsioni dhe konkurrenca në tenderë – Gati strategjia e re, jo më pak se 50% e kontratave të lidhen me SME
Masa antikorrupsion, promovim i konkurrencës dhe nxitje e pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë, sidomos e sipërmarrjeve të vogla e të mesme në procedurat e prokurimit publik. Këto janë disa nga objektivat kryesore të draft Strategjisë së Prokurimit Publik 2024-2030, që është nxjerrë për konsultim publik nga Agjencia e Prokurimit Publik.
Sipas dokumentit, parashikohen një sërë objektivash strategjikë, lidhur me kuadrin ligjor në fushën e prokurimit publik, koncesioneve dhe PPP-ve, prokurimeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ngritjen dhe funksionimin e Operatorit të Blerjes së Përqendruar, forcimin e kapaciteteve administrative, etj..
Përmes masave të parashikuara për secilin prej objektivëve, synohet arritja e një sërë rezultatesh. Kështu, për të promovuar konkurrencën, numri mesatar i ofertave nuk duhet të jetë më pak se 2.5, ndërkohë që procedurat me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, ndaj numrit të procedurave konkurruese nuk duhet të jenë më shumë se 10%. Sa i takon pjesëmarjres së sipërmarrjeve të vogla e të mesme, synohet që jo me pak se 50% e kontratave të lidhen me këta operatorë, nga 60% që ky indikator është aktualisht.
Një tjetër indikator lidhet me rritjen e përdorimit të kritereve mjedisore dhe sociale, duke arritur në 20% në vitin 2030, teksa aktualisht nuk ka një vlerësim mbi përdorimin e këtyre kritereve nga institucionet publike.
Paralelisht, draftstrategjia parashikon një rritje të eficiencës së sistemit të ankesave nëpërmjet rritjes së shpejtësisë në vendimmarrje. Më konkretisht synohet që ankesat e shqyrtuara jashtë afatit nga Komisioni i Prokurimit Publik të ulen në 8%, nga 10.1% që janë aktualisht. Draft strategjia do të qëndrojë për konsultim publik, deri në 30 janar 2024.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.