Hita: Mbi 10 mijë llogari në rrjetet sociale review negative, për të dëmtuar reputacionin e bizneseve të turizmit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita doli sot para gazetarëve në një konferencë për shtyp, në kuadër të angazhimit për komunikim të hapur, transparent dhe të përgjegjshëm me qytetarët dhe opinionin publik.
Hita bëri publik një shqetësim sipas tij që lidhet me një veprimtari të dyshuar të koordinuar në hapësirën kibernetike.
“Kjo veprimtari, nëse konfirmohet nga hetimet, rrezikon të dëmtojë jo vetëm biznese të caktuara, por dhe sektorin e turizmit dhe imazhin e Shqipërisë si një vend i sigurt dhe mikpritës. Gjatë ditëve të fundit, strukturat tona të luftës kundër krimeve kibernetike kanë evidentuar një aktivitet të dyshuar të koordinuar në platformat online, i cili konsiston në publikimin masiv të vlerësimeve (reviews) dhe komenteve negative ndaj hoteleve, restoranteve dhe subjekteve të tjera që ushtrojnë aktivitet në sektorin e turizmit në Shqipëri”, tha Hita.
“Nga veprimet e para verifikuese, administrimi i kallëzimeve dhe analiza e të dhënave të siguruara deri në këtë fazë, rezultojnë indicie për ekzistencën e një rrjeti llogarish që kanë vepruar në mënyrë të sinkronizuar në platformat ndërkombëtare të vlerësimit të hoteleve, restoranteve, resorteve dhe destinacioneve turistike”, vijoi ai.
Brenda një periudhe të shkurtër kohore, sipas Hitës, këto llogari dyshohet se kanë publikuar në masë, komente dhe vlerësime negative, me qëllim krijimin e një perceptimi të rremë dhe dëmtimin artificial të reputacionit online të bizneseve shqiptare.
Sipas tij, nga analiza fillestare rezultojnë mbi 10 000 llogari në rrjetet sociale me modele aktiviteti të dyshimtë, të cilat janë aktualisht objekt verifikimi nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit.
“Konkretisht një pjesë e konsiderueshme e llogarive dyshohet se janë krijuar rishtazi dhe janë përdorur në funksion të kësaj veprimtarie, por ka dhe llogari me profile të sakta, të cilat janë identifikuar nga ana jonë dhe po vijojnë veprimet hetimore”, pohoi Hita, ndërsa theksoi se janë evidentuar raste ku e njëjta llogari ka publikuar, brenda një kohe shumë të shkurtër, vlerësime negative për biznese në qytete të ndryshme, përfshirë Tiranën, Durrësin, Vlorën, Sarandën, Elbasanin, Shkodrën dhe Korçën.
“Sinkronizimi kohor, ngjashmëria e përmbajtjes dhe mënyra e shpërndarjes së aktivitetit përbëjnë tregues kyç që po analizohen nga grupi hetimor për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një veprimtari të organizuar. Një aktivitet i tillë, nëse provohet se është i qëllimshëm, nuk cenon vetëm interesat e bizneseve të prekura, por prek dhe konkurrencën e ndershme, besimin e konsumatorëve dhe perceptimin e Shqipërisë si destinacion turistik”, tha ai.
Hita shtoi se “turizmi është një sektor strategjik i ekonomisë kombëtare dhe një aset i rëndësishëm i imazhit ndërkombëtar të vendit tonë”.
“Çdo përpjekje e organizuar për të manipuluar perceptimin publik, për të dëmtuar bizneset shqiptare apo për të cenuar interesin ekonomik të vendit, do të trajtohet me prioritet maksimal nga Policia e Shtetit. Në këtë kuadër, kam urdhëruar strukturat e specializuara, veçanërisht ato të Hetimit të Krimit Kibernetik, që të vijojnë me intensitet të lartë veprimet procedurale për identifikimin e autorëve dhe personave që qëndrojnë pas kësaj veprimtarie, gjurmimin e infrastrukturës teknike të përdorur, analizimin e lidhjeve ndërmjet llogarive, evidentimin e mënyrës së organizimit, sigurimin dhe administrimin e provave dixhitale, si dhe bashkëpunimin me platformat online dhe partnerët ndërkombëtarë në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha Hita.
Hita shtoi se materialet procedurale do t’i referohen organit të Prokurorisë, pasi nga të dhënat e administruara ekzistojnë dyshime për elemente të veprave penale në fushën e krimeve kompjuterike, si dhe dëmtimit të interesave ekonomike dhe reputacionit.
“Dua ta bëj të qartë se çdo person që do të rezultojë i përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm, pavarësisht vendndodhjes së tij, do të përballet me forcën e ligjit”, cilësoi Hita, ndërsa shtoi se në emër të Policisë së Shtetit, iu bën thirrje administratorëve të hoteleve, restoranteve dhe subjekteve të tjera turistike që kanë konstatuar raste të ngjashme, të paraqesin kallëzim pranë strukturave të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe të ruajnë çdo provë elektronike që mund t’i shërbejë hetimit.
“Dëshiroj të theksoj se, krahas këtij hetimi specifik, Policia e Shtetit vijon me intensitet të plotë zbatimin e Planit të Masave për garantimin e një sezoni turistik të sigurt në të gjithë vendin. Strukturat tona janë në terren, çdo ditë, për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit në të gjitha format e tij, parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, luftën kundër trafiqeve të paligjshme, identifikimin dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve, parandalimin e kultivimit të kanabisit dhe shpërndarjes së drogave të forta, kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, goditjen e krimeve mjedisore dhe ekonomike, si dhe të lojërave të fatit, armëmbajtjes pa leje dhe krimeve ndërkufitare”, vijoi ai.
Hita tha se “një prioritet i rëndësishëm është rritja e sigurisë rrugore, përmes monitorimeve të shtuara në akset kryesore dhe zonat turistike, duke përdorur mjete inteligjente dhe dronë, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e një qarkullimi sa më të sigurt dhe të rrjedhshëm, pavarësisht fluksit gjithnjë në rritje të automjeteve”.
Po ashtu, Policia Kufitare, Njësia Policore Detare dhe Policia Alpine pohoi Hita janë në gatishmëri të plotë për t’iu shkuar në ndihmë qytetarëve dhe turistëve, duke ofruar asistencë, orientim dhe ndërhyrje të menjëhershme në çdo rast nevoje qoftë në zonat e thella malore ashtu dhe në hapësirën detare.
“Çdo strukturë e Policisë së Shtetit është në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve 24 orë në 24, me një objektiv të vetëm, që çdo qytetar dhe çdo turist të ndihet i sigurt në çdo cep të territorit të Republikës së Shqipërisë. Shqipëria është një vend i sigurt dhe mikpritës. Ne do të vijojmë të përmbushim me vendosmëri detyrën tonë kushtetuese për mbrojtjen e jetës, pronës, rendit publik dhe interesit të vendit, në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, bizneset, institucionet dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, përfundoi Hita.
Rama pritet nga Erdogan në Pallatin Presidencial në Ankara
Kryeministri Edi Rama u prit sot në Pallatin Presidencial, Cumhurbaşkanlığı Külliyesi në Ankara nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Kryeministri......
“World Cup” kryeson kërkimet në Google në Shqipëri/ Kampionati Botëror mban shqiptarët të “mbërthyer” pas ekraneve
Interesi i shqiptarëve në Google gjatë muajit të fundit është dominuar nga Kampionati Botëror i Futbollit. Sipas të dhënave të Google Trends, termi “world......
Bujqësia mban peshën kryesore të punësimit në Shqipëri/ Shërbimet renditen të dytat, ndërsa ndërtimi dhe prodhimi zënë një pjesë më të vogël
Bujqësia vijon të mbajë peshën më të madhe në tregun e punës në Shqipëri. Sipas të dhënave për vitin 2025, 33.8% e personave të punësuar mbi moshën 15 vjeç......
“Pagat në administratën publike u rritën nga 35%- 65%’’/ Pirdeni: Tre kapituj të negociatave drejt mbylljes
Shqipëria është gati të mbyllë edhe tre kapituj të tjerë në procesin e negociatave me Bashkimin Europian. Këtë e bëri me dije ministrja e shtetit për......
Çmimi për vetëprodhuesit e energjisë - ERE, Ahmeti: Do miratohet brenda vitit. I hapet rruga aplikimit të skemës së re
Enti Rrregullator i Energjisë do të miratojë çmimin e energjisë elektrike për vetëprodhuesit brenda këtij viti. Konfirmimi është dhënë nga kreu i ERE-s......
Rritet me 701 milionë lekë financimi për Policinë e Shtetit - Lamallari: Më shumë mbështetje për pagat e efektivëve
Përmes Aktit Normativ të Buxhetit 2026, financimi për Policinë e Shtetit rritet me 701 milionë lekë. Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari bëri......
Banka Shqiptare e Zhvillimit, drejt skemës së sigurimit të depozitave? - Kuvendi i kërkon ASD përfshirjen e saj, ndërsa forcon masat për mbrojtjen e kursimeve
Agjencia e Sigurimit të Depozitave duhet të vijojë forcimin e kapaciteteve për të garantuar mbrojtjen e kursimeve të qytetarëve dhe për t'u përafruar me......
Rriten të punësuarit dhe fondi i pagave në sektorin e shërbimeve - ASK: Shtesën më të madhe, sektori bar-restorante me 5,84%
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar statistikat afatshkurtra të shërbimeve për muajin maj 2026, duke paraqitur ndryshimet në qarkullimin,......



