Mallrat e akcizës “thajnë” doganat -Të ardhurat totale në tetor regjistrojnë rënie me 2 mld lekë. Si 10-mujor arrijnë 183,3 mld
Muaji tetor duket se ka krijuar një ngërç në administratën doganore. Të dhënat më të fundit zyrtare tregojnë për një rënie të të ardhurave me pothuajse 2 miliardë lekë krahasuar me shtatorin, duke arritur në rreth 18,7 miliardë.
Kjo shifër është e barabartë me atë të marsit, kur si rrjedhojë e pushtimit rus të Ukrainës çmimet e mallrave u shtrenjtuan dhe si rrjedhojë edhe të ardhurat doganore regjistruan rritje muaj pas muaji. Ndërkohë, si 10-mujor të ardhurat totale arritën në 183,3 miliardë lekë, shifra më e lartë për të njëjtën periudhë që nga viti 2018.
Por, çfarë ka ndikuar në rënien e papritur të të ardhurave doganore në muajin tetor? Së pari, vërehet një rënie e importit me pothuajse 4 miliardë lekë krahasuar me shtatorin, ndërsa gropën më të madhe e ka importi I taksuar, pra paratë që hyjnë në arkën e doganave me 5,8 miliardë krahasuar me shtatorin. Nëse analizojmë të gjitha taksat për këtë muaj regjistrohen në rënie.
Së dyti, një kthesë e papritur ka ndodhur në zhdoganimin e karburanteve, kontributi I të cilave në të ardhurat doganore është 24,32%. Për tetorin kanë “kaluar” traun e doganave 6.500 ton karburante më pak se shtatori, ndërsa diferenca është tepër e madhe me gushtin duke arritur në 14.800 ton.
Ecuria rënëse e importit, ndonëse më e moderuar vërehet edhe tek mallrat e tjera të akcizës si cigarette, kafeja dhe birra.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.