“Mbështetje për rreth 70 mijë fermerë” – Këshilltarja e Ministrisë: Mund të përfitojnë edhe fermat e vogla. Kusht, bashkimi i tyre
Në jo pak raste është shprehur domosdoshmëria për bashkimin e fermerëve, njëkohësisht edhe për heqjen e pragut minimal të vendosur për të përfituar në një nga skemat e mbështetjes, për sektorët e bujqësisë.
Lidhur me këto kërkesa, Ministria e Bujqësisë ka zgjedhur një rrugë të mesme, që bën të mundur adresimin e tyre.
Kështu, me programin e mbështetjes për 2024 do të kenë mundësi të përfitojnë edhe fermerët e vegjël, pra që kanë më pak se 10 krerë bagëti apo një sipërfaqe tokë më pak se kufiri i caktuar, kushti i vetëm që duhet të përmbushin është që të bëhen bashkë.
Detajet u përcollën nga këshilltarja e Ministrisë së Bujqësisë Ermira Gjeçi.
Nga studio e emisionit “Box to Box” Gjeçi tha se kjo nismë do të ndihmojë edhe në formalizimin e sektorit, pasi kusht primar është që fermerët të jenë të pajisur me NIPT.
Aplikimet për të përfituar nga skemat e mbështetjes pritet që të çelen duke nisur nga fundi i këtij muaji, ndërkohë që parashikohet që të jenë rreth 70 mijë fermerë që do të përfitojnë prej tyre.
Ada Hazizolli/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.