Mbi 23 mijë biznese ushqimore, në “filtër” risku – Gati plani i kontrolleve për sigurinë sipas historikut. Si kategorizohen kompanitë?
Mbi 23 mijë Operatorë të Biznesit Ushqimor dhe Operator Biznesi do të kontrollohen përgjatë këtij viti nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në bazë të historikut të tyre dhe shkeljeve që kanë kryer sa i takon sigurisë ushqimore. Një udhëzim i Ministrisë së Bujqësisë, i botuar në Fletoren Zyrtare, i hap dritën jeshile implementimit të një plani kontrollesh zyrtare në bazë risku, çka përkthehet në siguri më të shtuar për qytetarët shqiptarë.
Sektorët ku bëjnë pjesë këto operatorë janë ndarë në disa kategori ku përfshihen prodhimi primar, pjesë e të cilit janë kryesisht thertoret; përpunimi, ku përfshihet ai i qumështit, mishit, peshkut, mjaltit, etj; shpërndarja, ku bëjnë pjesë shitjet me pakicë, shitjet me shumicë, transporti etj; si dhe prodhimi, kategori në të cilën përfshihen pijet alkoolike, jo alkoolike, ujë, etj.
Sipas udhëzimit, nga viti 2015, AKU-ja ja i kryen kontrollet zyrtare në zbatim të planit vjetor të inspektimeve, i cili miratohet nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Por risia për vitin 2024 është se plani i kontrolleve është kryer mbi një metodologji të mirëfilltë për profilizimin e riskut të çdo Operatori Biznesi, referuar historikut të tyre.
Konkretisht, ky plan ka si qëllim kryerjen e kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit bazuar vlerësimit individual, me qëllim kategorizimin e riskut në varësi të riskut të tyre, si dhe frekuencat e përshtatshme të inspektimeve në bazë të rezultateve të procesit të kategorizimit.
Sipas udhëzimit, në këtë pjesë, do të merret në konsideratë historiku edhe në lidhje me rezultatin e kontrolleve zyrtare të kryera mbi to apo besueshmërinë dhe rezultatet e kontrolleve vetjake që janë kryer nga operatorët, ose nga palët e treta me kërkesë të tyre. Për këtë arsye stabilimentet nën kontrollin zyrtar të AKU-së, u janë nënshtruar procesit të vlerësimit të riskut e për rrjedhojë rikategorizimit bazuar historikut të tyre.
Por si janë ndarë bizneset sipas kategorive të riskut? Me risk të lartë kategorizohen 1635 subjekte, ndërsa pjesa më e madhe konsiderohen me risk të ulët. Ndërsa e ndarë sipas qarqeve, Tirana ka numrin më të lartë të operatorëve që do të kontrollohen, ndjekur nga Durrësi dhe Fieri, ndërsa Kukësi ka numrin më të ulët.
Kontrollet zyrtare nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të kryhen në të gjitha fazat e zinxhirit të prodhimit, përpunimit, shpërndarjes, ruajtjes dhe tregtimit. Pas përfundimit të çdo inspektimi, të dhënat inspektuese për të gjithë operatorët e biznesit ushqimor do të gjeneronen në portalin unik “e-Inspektimi”, i cili është funksional që nga viti 2018.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.