Mbyllja e Shangait, frenon ekonominë – Dhjetëra qytete kineze të mbyllura plotësisht, ose pjesërisht!
Mbyllja totale e Shangait dhe pasojat e Covid 19 tek miliona konsumatorë dhe punëtorë në dhjetëra qytete të tjera kineze kanë shkaktuar një ngadalësim të aktiviteteve ekonomike të Kinës, sipas të dhënave më të fundit, të cilat rrisin frikën se ekonomia mund të dobësohet dhe më shumë në tremujorin e ardhshëm.
Shitjet me pakicë në Kinë u reduktuan me 11% brenda një viti, ndërsa vetëm një muaj më parë u ulën me 3.5%. Mbylljet totale apo të pjesshme kanë hyrë në fuqi në dhjetëra qytete në muajt mars dhe prill, përfshirë këtu dhe qendrën tregtare të vendit Shangain.
Kjo ka bërë që punëtorë dhe konsumatorë të qëndrojnë në shtëpi duke bllokuar zinxhirin e shit – blerjeve.
Dhe restorantet të cilat ofronin shërbime në shtëpi janë mbyllur në disa provinca duke shënuar një reduktim prej 22.7% në sektorin e kateringut.
Niveli i papunësisë shkoi deri në 6.7% në 31 qytete kryesore të vendit në muajin prill duke shënuar rekordin më të lartë që nga 2018. Kryeministri i Kinës u shpreh se qeveria synon krijimin e 11 milion vendeve të reja të punës këtë vit, dhe 13 milion vende pune urbane.
Por ky projekt sipas tij mbetet përkohësisht i pezulluar si pasojë e valës më të rëndë të Covid 19 që nga 2020.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.