Më shumë fonde për PPP-të në shëndetësi – Rritet lehtë financimi i spitaleve nga FSDKSH. Më pak para’ për QSUNT-në
Buxheti për financimin e spitaleve nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka pësuar rritje të lehtë për vitin 2024, në raport me vitin që sapo lamë pas. Sipas vendimit, në total financimi arrini në 32.29 mld lekë, nga 31 mld lekë që ishte gjatë vitit 2023.
Gjithsesi, sipas tabelave shoqëruese të vendimit të qeverisë Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, do të marrë më pak para’ gjatë këtij viti, ndërkohë që buxheti për financimin e kontratave të partneritetit publik privat, sikurse është koncesioni i laboratorëve, dializës apo strelizimi i instrumente kirurgjikalë do të jenë më të larta gjatë këtij viti.
Shuma totale që do iu shkojë privatëve është 4.52 mld lekë, nga të cilat 1.85 mld lekë janë për PPP-në e laboratorëve. Në krahasim me vitin 2023, ky buxhet është 101 mln lekë më i lartë. Rritje e pagesave është parashikuar edhe për të tjera shërbime, që gjithashtu ofrohen në spitale private.
Kështu përfshihen paketat e kardiologjisë, kardiokirugjisë, transplanti i veshkës, etj., ku për ofrimin e shërbimeve janë nënshkruar kontrata të veçanta me disa spitale private, që operojnë krahas spitaleve shtetërorë.
Ndërkaq, sa i takon spitaleve publike, buxheti më i lartë është parashikuar për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ndërsa pas saj vijnë spitalet e Durrësit, “Shefqet Ndroqi” në Tiranë dhe ai Shkodrës. Për spitalin memorial Fier buxheti i miratuar është 1 mld lekë.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.