Mete: Të ardhurat totale, realizim në masën mbi 100% të planit fillestar të buxhetit gjatë vitit 2023!
Ministri i Financave, Ervin Mete bëri të ditur sot se të ardhurat totale për 12–mujorin e vitit 2023 u realizuan në masën 643.4 miliardë lekë ose 100.1% të planit fillestar të buxhetit të së njëjtës periudhë.
Sipas shifrave të publikuara ekonomia performoi pozitivisht në vitin 2023 dhe se krahasuar me vitin 2022, të ardhurat në 2023-shin janë rritur me 70.6 miliardë lekë ose +12.3% më shumë.
Ndërkaq po sipas informacionit të publikuar edhe shpenzimet kanë pasur një performance të mirë, kryesisht edhe pas rishikimit të Buxhetit me aktin normativ të 14 dhjetorit 2023, që bëri një rishpërndarje të tyre.
Mete bëri gjithashtu të ditur se shpenzimet e përgjithshme publike arritën rreth 674.7 miliardë lekë. Realizimi i tyre ishte në nivelin 96.6 % të planit të së njëjtës periudhë ndërsa borxhi publik ra në fund të vitit 2023 në nivelin 59.2% të GDP-së, niveli më i ulët që nga viti 2008, ndërsa deficit ra në 1.4% të GDP-së, niveli më i ulët i të gjitha kohërave.
Gjithashtu, sipas njoftimit të ministrit, të ardhurat tatimore kanë patur një performanceë të mirë, me një realizim në masën 99.7% me planin e rishikuar në rritje me aktin normativ të Buxhetit 2023, në 14 dhjetor 2023.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.