Miratohet marrëveshja me Zvicrën, Koçiu: Shtrirje e shërbimit shëndetësor në banesë për të pamundurit në mbarë vendin!
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një deklaratë për shtyp pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave deklaroi sot miratimin e marrëveshjes së bashkëpunimit trevjeçar me Zvicrën e cila pritet të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në përmirësimin e shërbimit shëndetësor parësor.
“Përmes projektit HAB “Shëndetësi për të gjithë“, që do të përfundojë në vitin 2027, qeveria shqiptare dhe MSHMS do të kenë mundësi të përfitojnë nga protokolle pune dhe standarde të miratuara tashmë dhe që shërbejnë për të ngritur në një nivel më të lartë bashkëpunimin dhe shërbimin shëndetësor në të gjitha qendrat shëndetësore në vend”, u shpreh Koçiu.
Falë fazës së parë të bashkëpunimit, vijoi ajo, ne kemi mundësuar që në plot 31 qendra shëndetësore të ofrojmë shërbim në banesë për të pamundurit, invalidët apo të moshuarit, të cilët nuk lëvizin dot nga banesa e tyre dhe kanë nevojë për një shërbim të dedikuar shëndetësor.
“Përmes kësaj marrëveshjeje do të vijojmë të shtrijmë këtë shërbim shëndetësor në të gjitha qendrat shëndetësore në mbarë vendin”, tha Koçiu.
Sipas ministres falë bashkëpunimit me qeverinë e Zvicrës, do të jetë e mundur të përftojmë protokolle të dedikuara për kujdes të thelluar edhe për shërbimet e shëndetit mendor.
Ajo më tej bëri të ditur se do të krijohen hapësira të posaçme në të gjitha qendrat shëndetësore, duke trajnuar dhe kualifikuar edhe mjekët e familjes, infermierët dhe këdo shërbim shëndetësor, në qendra shëndetësore, për të ofruar shërbime të specializuara për të gjithë ata që kanë nevojë të trajtohen për çrregullime të shëndetit mendor.
“E rëndësishme gjithashtu është të theksoj se shërbimi shëndetësor do të jetë ofruar në mënyrë të posaçme edhe për gratë, fëmijët të moshuarit apo të sëmurët kronik duke bërë të mundur zbatimin e një vizioni të konsoliduar të qeverisë shqiptare për të përmirësuar shërbimit që ofrohen pranë banesës për të rritur mbulimin universal shëndetësor dhe ndërkohë nga ana tjetër të mund të ofrojmë shërbime shëndetësore në portën e parë hyrëse për këdo qytetar që kanë nevojë për një shërbim të tillë“, deklaroi Koçiu.
E . S /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.