Pritshmëri më të larta nga turizmi në 2024 – Rama: Konfirmimi vjen nga operatorët. Rezervimet janë mbyllur edhe për 2025
Shqipëria pritet të ketë këtë vit një sezon edhe më të mbarë turistik krahasuar me 2023-shin. Këto pritshmëri I ka shprehur kryeministri Edi Rama, i cili ishte i pranishëm në çeljen e panairit të turizmit “FITUR 24” në Madrid. Ky panair është pika globale e takimit për profesionistët e turizmit nga mbarë bota dhe ku Shqipëria prezantohet me diversitetin e pasur turistik të zonave të saj.
Pa diskutim që këtë vit ne do të kemi një rritje të mëtejshme të numrit sepse këtë e konfirmojnë edhe operatorët që janë këtu dhe që praktikisht kanë mbyllur rezervime edhe për vitin 2025 dhe nga ana tjetër na duhet të shtyjmë shumë më fort edhe për investime të reja sepse përndryshe do të gjendemi në një situatë të padëshirueshme dhe te papëlqyeshme midis një kërkese që rritet dhe një oferte që nuk arrin dot të rritet në proporcion me kërkesën sepse mbase nuk do arrijnë dot, se ka një limit kjo gjë, që ta balancojmë kërkesën dhe shyqyr që kërkesa të jetë më e lartë, por jo në pikën që kërkesa të jetë aq e lartë saqë pastaj njerëzit të fillojnë të dekurajohen, të thonë “atje nuk shkohet se s’ka ofertë të mjaftueshme”. Kështu që, ky është një proces dhe në këtë proces besoj që jemi në rrugën e duhur, por me e rëndësishmja është që na ndihmon jashtëzakonisht shumë fakti se Shqipëria sot është diçka krejt tjetër, në sytë e të gjithëve.
Sipas Ramës, ky panair i paraprin Panairit të madh të Berlinit, ku Shqipëria do të marrë stafetën e vendit pritës të vitit të ardhshëm.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.