Nafta bie me 3%, zbret në 73 USD – Tregu karakterizohet nga një kërkesë e dobët dhe furnizim i tepërt
Nafta po qëndron në rënie edhe në sesionin e sotëm, pasi ra me më shumë se 3% të martën, duke prekur nivelin më të ulët në 6 muajt e fundit. Investitorët janë të shqetësuar për ngadalësimin e kërkesës dhe mbifurnizimin e tregut. Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 73 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 68 dollarë për fuçi.
Tregu ra ndjeshëm në sesionin e kaluar, pasi të dhënat mbi inflacionin për nëntorin, forcuan pikëpamjen se Rezerva Federale nuk kishte gjasa të ulte normat e interesit në fillim të vitit të ardhshëm, gjë që do të rëndojë mbi konsumin.
Ndërkohë, eksportet mesatare javore të naftës bruto nga Rusia u rritën në nivelin më të lartë që nga korriku, duke shtuar shqetësimet mbi ofertën e tepërt dhe duke hedhur dyshime mbi marrëveshjen e fundit të uljes së prodhimit nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatëve të tjerë, që ndryshe njihen si OPEC+.
Ndërkohë, Administrata për Informimin mbi Energjinë në SHBA rriti parashikimin me 300,000 fuçi për sa i përket prodhimit në vitin 2023, në totalin e 12.93 milionë fuçive në ditë. Analistët shprehen se takimi i Rezervës Federale mbi politikat monetare, që përfundon në mbrëmjen e sotme, do të përcaktojë drejtimin e tregjeve.
Një qëndrim më i ashpër se sa pritej nga banka qendrore amerikane mund të shkaktojë një rënie të mëtejshme të çmimeve të naftës. Ndërkohë, Kombet e Bashkuara miratuan të mërkurën një rezolutë që bën thirrje për një armëpushim në Gaza, me presidentin Joe Biden që paralajmëroi se Izraeli ka filluar të humbasë mbështetjen ndërkombëtare për shkak të vdekjeve të civilëve.
Kostoja e transportit të naftës përmes Detit të Kuq po rritet pasi grupi Houthi që operon në Jemen ka shtuar sulmet ndaj anijeve, që ata besojnë se janë të lidhura me Izraelin.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.