Nafta ngjitet drejt 82 USD për fuçi – Ekonomia amerikane rritet me 3.3% në T4, Kina ofron stimuj
Nafta po qëndron në rënie në sesionin e sotëm, por pritet të realizojë fitime javore për shkak të të dhënave optimiste nga SHBA dhe Kina, dy ekonomitë më të mëdha në botë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 82 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 77 dollarë për fuçi.
Të dyja kontratat pritet të publikojnë fitime javore prej mbi 4.5%, java e dytë me radhë në rritje. Ndër zhvillimet e tjera, zyrtarët kinezë u kanë kërkuar homologëve të tyre iranianë të ndihmojnë në frenimin e sulmeve ndaj anijeve në Detin e Kuq nga grupi Houthi, ose përndryshe rrezikojnë të dëmtojnë marrëdhëniet e biznesit me Pekinin, në një masë që ndihmoi në lehtësimin e shqetësimeve për ndërprerje të mundshme të furnizimit të tregut me naftë.
Por, lideri i Houthi deklaroi të enjtes se sulmet ndaj anijeve që kalojnë në Detin e Kuq do të vazhdojnë, derisa ndihmat të shkojnë për popullin palestinez. Gjithsesi, gjatë kësaj jave çmimet u mbështetën nga rënia e rezervave në SHBA dhe nga të dhënat ekonomike mjaft pozitive në Shtetet e Bashkuara dhe në Kinë. Rezervat e naftës bruto në SHBA ranë me 9.2 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, pasi i ftohti ka goditur prodhimin.
Ndërkohë, Kina njoftoi disa masa stimuluese në mbështetje të ekonomisë në ngadalësim. Gjithashtu, tregtarët po vendosin baste se Banka Qendrore Europiane do të ulë normat e interesit në takimin e muajit prill. Kostot më të ulëta të huamarrjes mund të nxisin rritjen ekonomike dhe kërkesën për naftë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.