Bitcoin stabilizohet pranë 40,000 USD – Ngadalësohen flukset dalëse nga fondi “Grayscale Bitcoin Trust”
Për të tretën ditë me radhë bitcoin po tregtohet pranë 40,000 dollarëve, pasi janë ngadalësuar flukset dalëse nga fondi Grayscale Bitcoin Trust (Grejskell Bitcoin Trast), që në total shkon në rreth 20 miliardë dollarë. Megjithatë, analistët parashikojnë se tendenca në rënie e bitcoin mund të rikthehet javën e ardhshme.
Bitcoin po tregtohet pranë 40,000 dollarëve edhe në sesionin e sotëm, mes ngadalësimit të flukseve dalëse nga Grayscale Bitcoin Trust, një fond që në total shkon në rreth 20 miliardë dollarë. Që nga 11 janari, rreth 4.8 miliardë dollarë kanë dalë nga portofoli në bitcoin, i cili ka një jetëgjatësi prej 1 dekade dhe është më i madhi në botë, tregojnë të dhënat e përpiluara nga Bloomberg.
Ndërkohë, bitcoin ka rënë me rreth 20%, gjatë kësaj periudhe. Për shkak të ngadalësimit të flukseve dalëse nga ky fond, analistët mendojnë se edhe rënia e bitcoin mund të ndalet. Fluksi i daljeve ditore nga ky fond, që njihet ndryshe edhe si GBTC, arriti kulmin prej 641 milionë dollarë në 22 janar, por u ngadalësua në dalje prej 394 milionë dollarë më 25 janar.
Fondi Grayscale filloi tregtimin në formatin e tij të ri në të njëjtën ditë kur nëntë ETF të tjera në bitcoin debutuan në SHBA. ETF-të, ose Fondet e Tregtuara në Bursë, kanë tërhequr më shumë se 5 miliardë dollarë deri më tani.
Bitcoin u rrit me më shumë se 160% vitin e kaluar, duke lënë pas asetet tradicionale, për shkak të pritshmërive se autoritetet në SHBA, do të miratonin Fondet e Tregtuara në Bursë (ETF). Por, kriptomonedha më e madhe në botë është tërhqur gjatë këtij viti, duke humbur rreth 16% të vlerës. Gjithsesi, debutimi në Ëall Street është një sukses, pasi të gjitha ETF-të në bitcoin së bashku paktën lançimin më të suksesshëm në historinë e Fondeve të Tregtuara në Bursë.
Ndër zhvillimet e tjera, Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Bursave (SEC) shtyu vendimin për një aplikim nga Grayscale Investments për të kthyer fondin Ethereum, në një Fond të Tregtuar në Bursë (ETF). Rregullatori i tregjeve në SHBA vonoi gjithashtu një tjetër aplikim nga gjigandi i manaxhimit të financave BlackRock, për një produkt të ngjashëm.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.