Nafta tregtohet pranë 79 USD për fuçi – Mbështetet nga zgjerimi i aktivitetit të fabrikave në Kinë

Nafta po tregtohet e qëndrueshme edhe në sesionin e sotëm, ndërsa një mbështetje po e gjen nga të dhënat e publikuara në Kinë, që treguan një zgjerim të aktivitetit të fabrikave në ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 79 dollarë për fuçi, ndërsa gjatë kësaj jave është rritur me rreth 6%. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 74 dollarë për fuçi dhe gjatë kësaj jave ka fituar mbi 8% të vlerës.
Aktiviteti i fabrikave në Kinë vijoi zgjerimin edhe gjatë marsit, por me një hap më të ngadaltë krahasuar me shkurtin, kur regjistroi një nivel rekord. Aktiviteti industrial në Kinë po bëhet një faktor kyç në ecurinë e çmimeve, gjatë muajve të fundit.
Gjatë kësaj jave, ndërkohë, çmimet kanë gjetur një mbështetje nga rënia e rezervave të naftës në SHBA, si pasojë e sezonit të mirëmbajtjes së rafinerive, dhe nga ndalimi i rreth 450 mijë fuçive naftë në ditë nga rajoni i Kurdistanit në Irak. Tregjet po presin tashmë shpenzimet konsumatore në SHBA dhe inflacionin, që do të publikohen më vonë gjatë ditës së sotme.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.