Ndahet nga jeta kolegia e gazetarisë ekonomike, Afërdita Selimaj
Një nga emrat më të njohur të gazetarisë ekonomike në Shqipëri, Afërdita Selimaj është ndarë nga jeta pas një sëmundje të rëndë. Afërdita Selimaj e nisi gazetarinë në vitin 1977, pasi kreu studimet e larta. Karrierën si gazetare ajo e nisi në Lushnje, në gazetën lokale “Shkëndia”. Më pas, të gjithë karrierën e saj e zhvilloi si gazetare e RTSH ku u bë e njohur për trajtimin e temave sociale dhe ekonomike,si në radio, ashtu edhe në televizion.
Afërdita ka qenë themeluese e gazetarisë ekonomike në Shqipëri.
Nga viti 2000 deri në vitin 2003, ajo u emërua Drejtore e Departamentit të Lajmeve në Radio Tirana, pozicion që e mbajti deri në gusht të vitit 2003.
Më pas ajo drejtoi sektorin për bashkatdhetarët në Radio Tirana.
Në vitin 2003, e zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, Afërdita ka qenë Kryetare e parë e Bordit të Monitorimit të Medias, pranë KQZ-së. Në karrierën e saj të gjatë, Afërdita ka qenë e vetmja gazetare pranë ekipit negociator shqiptar në Gjenevë, për antarësimin e Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe ka drejtuar që prej vitit 1998 Lidhjen e Gazetarëve Ekonomikë të Shqipërisë.
Për kontributin e saj mediatik ndër vite, në vitin 2021 është nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Afërdita ka qenë bashkëpunëtore e çdo gazetari dhe medie ekonomike në vend.
Ajo ka mbështetur vazhdimisht çdo gazetar të ri të sektorit të ekonomisë. Afërdita Selimaj ikën duke lënë pas një kontribut të paçmueshëm në fushën e gazetarisë ekonomike, por edhe respektin e mirënjohjen profesionale dhe njerëzore të kolegëve.
Radiotelevizioni Publik Shqiptar njofton se në shenjë mirënjohjeje, dashurie dhe respekti, të premten për rreth 1 orë në hollin e RTSH do të zhvillohen homazhet e fundit për Afërdita Selimajn, nga ku më pas do të përcillet për banesën e fundit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.